Cakaj në Gjenevë: Askush të mos harrojë pasojat e gjenocidit të Millosheviçit

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ndodhet në Gjenevë, ku po merr pjesë në punimet e Forumit Global për Refugjatët.

Në fjalën e mbajtur, Ministri në Detyrë Cakaj nënvizoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për zbatimin e plotë të detyrimeve të saj në kuadër të Kompaktit Global për Refugjatët.

Gjithashtu, ai theksoi se në bashkëpunim të ngushtë me UNHCR, BE dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, Shqipëria do të punojë në përmirësimin e sistemit për menaxhimin e kërkesave për azil dhe zgjerimin e kapaciteteve për integrim të refugjatëve.

“Shumë e rëndësishme të kujtohet kontributi i pakrahasueshëm historik i Shqipërisë në pranimin e refugjatëve nga lufta e Kosovës e shkaktuar prej projekteve për pastrim etnik dhe gjenocid nga regjimi i Milosheviçit!” – u shpreh ministri Cakaj.

Po ashtu, kryediplomati Cakaj shtoi se kjo përvojë historike nuk përbën vetëm një shembull të solidaritetit kombëtar, por edhe paraqet një model botëror për sa i përket marrëdhënies së Shqipërisë me refugjatët në një prej orëve më të vështira të historisë./tch