Çavusoglu: Lëvizja e fundit e SHBA-së, një përpjekje për të legjitimuar YPG/PKK-në terroriste

Ankaraja fshikulloi të premten vendimin e Uashingtonit për të përjashtuar disa zona të kontrolluara nga terroristët në veri të Sirisë nga sanksionet amerikane ndaj regjimit të Asadit, duke thënë se ajo kërkon të përligjë organizatën terroriste YPG/PKK.

“Vendimi është një përpjekje për të legjitimuar organizatën terrorist”, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Cavusoglu, gjatë një konference shtypi të përbashkët me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Demokratike të Kongos, Christophe Lutundula Apala, në Zyrën e Punës së Presidencës në Pallatin “Dolmabahçe” të Stambollit.

Sipas tij, lëvizja në fjalë është arbitrare dhe i mungojnë kriteret objektive.

“Uashingtoni po diskriminon zonat që nuk kontrollohen nga regjimi i Bashar al-Assadit në Siri. Aty ku PKK/YPG-ja ka peshë, ata lehtësojnë sanksionet e tyre. Bëhet fjalë për një lehtësim të sanksioneve ose të Aktit të Cezarit (Akti i Cezari për Mbrojtjen e Civilëve në Siri, miratuar në vitin 2019 dhe njohur gjithashtu si Akti i Cezarit, është legjislacioni i SHBA-së që sanksionon regjimin sirian, përfshi këtu edhe Bashar al-Assadin, për krime lufte kundër popullsisë siriane). Ka miliona njerëz të zhvendosur në Idlib, ku ne po ndërtojmë shtëpi me blloqe betoni. Komuniteti ndërkombëtar duhet ta mbështesë këtë. A tregojnë fleksibilitet në këtë rajon? Jo! Cila është arsyeja? Pse është përjashtuar ky rajon? Nëse do të kishte një mbështetje të tillë, emigrantët do të ktheheshin më shpejt në shtëpitë e tyre. Ky është një vendim i marrë me motive të caktuara pa u konsultuar me askënd. Ndihmat humanitare, përfshi këtu edhe ato të OKB-së, kalojnë përmes Hatajit të Turqisë. Duke qenë kështu, përjashtimi i këtij rajoni është domethënës. Arsyeja është gjithashtu e qartë”, shtoi kryediplomati turk.

Ambasadorja Victoria Nuland, nënsekretare e Departamentit të Shtetit në SHBA për Çështjet Politike, njoftoi të enjten se vendi i saj po përgatitet të lëshojë një licencë që do të përjashtojë investimet e kompanive të huaja në verilindje të Sirisë nga sanksionet amerikane në kuadër të Aktit të Cezarit.

YPG-ja, e cila është dega siriane e organizatës separatiste terroriste PKK, vazhdon të mbajë nën kontroll zona të mëdha në verilindje të Sirisë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

PKK-ja njihet me ligj si një organizatë terroriste në Turqi dhe SHBA, por Uashingtoni i shmanget një përcaktimi të ngjashëm për YPG/PKK-në dhe vazhdon ta konsiderojë atë një partnere në rajon kundër organizatës terroriste DAESH pavarësisht protestave këmbëngulëse të Ankarasë.

SHBA-ja pretendon se YPG/PKK-ja është një “aleate” në luftën kundër DAESH-it, por Turqia insiston se përdorimi i një organizate terroriste për të luftuar një tjetër organizatë terroriste nuk ka kuptim.

Ndërkaq, ministri Cavusoglu u kërkoi autoriteteve franceze të ndërmarrin “hapa konkrete ligjore” kundër terroristëve në lidhje me sulmet e së enjtes nga simpatizantët e PKK-së ndaj Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Paris.

“Përgjegjësia për mbrojtjen e misioneve i takon vendit pritës. Franca duhet të kapë autorët e këtij sulmi dhe agresorët duhet të japin llogari para ligjit. Ne ftuam në Ministri të ngarkuarin me punë të Francës në Ankara dhe i përcollëm qartë pritmën tonë. I rikujtuam atij se duhet të marrin masat e nevojshme për të parandaluar përsëritjen e një sulmi të tillë”, theksoi shefi i diplomacisë turke.

Sulmi me fishekzjarrë natën vonë dëmtoi një dritare dhe murin e jashtëm të objektit konsullor turk në kryeqytetin e Francës.

Incidenti në Paris pasoi sulmin e simpatizantëve të PKK-së ndaj pjesëmarrësve (turq) në Festivalin Ndërkombëtar të Fëmijëve të 23 Prillit, organizuar në Bazel të Zvicrës më 8 maj.

Pas sulmit në qytetin zviceran, drejtori i Komunikimeve të Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun, tha se incidente të tilla tregojnë se terrorizmi i PKK-së “e ka mbuluar Evropën si dredhkë helmuese” dhe se “një përpjekje shumëdimensionale është e nevojshme për t’iu kundërvënë këtij kërcënimi global”.

PKK-ja klasifikohet si terroriste edhe nga Bashkimi Evropian, por Turqia ankohet vazhdimisht se shumë vende evropiane e tolerojnë praninë e saj dhe e lejojnë atë të rekrutojë dhe të shesë drogë për të financuar sulmet e saj.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja është përgjegjëse për vdekjen e mbi 40.000 njerëzve duke përfshirë gra, fëmijë e foshnja. /trt