Çdo i 6-ti fëmijë jeton në rajonet e konfliktit

Organizata bamirëse “Save the Children” në një raport të saj bën të ditur se çdo i 6-ti fëmijë në botë jeton në rajonet e konfliktit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në raportin e publikuar me titull “Ndikimi i luftës te fëmijët: Koha për ta ndalur dhunën ndaj fëmijëve në rajonet e konfliktit”, thuhet se çdo i 6-ti fëmijë në botë jeton në luftë ose në rajonet e konfliktit.

Numri i fëmijëve të cilët jetojnë në rajonet e prekura nga përleshjet nga fillimi i viteve 1990 me një rritje prej 75 për qind ka arritur në 357 milionë dhe se 165 milionë prej tyre jetojnë në “rajonet e konflikteve intensive”.

Në raportin e miratuar edhe nga Kombet e Bashkuara (OKB), theksohet se që nga viti 2010 e deri më tani ka një rritje prej 300 për qind në nivelin e vdekjeve dhe të plagosjeve të fëmijëve.

Duke nënvizuar se Siria, Afganistani dhe Somalia janë vendet më të rrezikshme për fëmijët, në raport thuhet se çdo i dyti nga 5 fëmijët në Lindjen e Mesme dhe se çdo i pari nga 5 fëmijët në Afrikë jetojnë afër 50 kilometra në rajonet ku ndodhin konfliktet.

“Taktikat e rrethimit dhe të lënies në uri për dorëzimin e një grupi të armatosur apo të gjithë komunitetit, vazhdon në rritje të përdoret kundër civilëve si një armë e luftës”, thuhet në raport, duke shtuar se fëmijët në rajonet e konfliktit po përjetojnë trauma shumë të rënda psikologjike dhe se këto do të ndikojnë negativisht në brezat e ardhshëm.

“Save the Children” thekson se përkundër standardeve të së drejtës ndërkombëtare të krijuara për mbrojtjen e fëmijëve, në gjithë botën “gjithnjë e më shumë po përdoren taktikat e pamëshirshme si armatimi i fëmijëve dhe dhuna seksuale”.

Sipas raportit fëmijët në rajonet e konfliktit mbeten të privuar nga shërbimet shëndetësore dhe arsimore dhe ushqehen në mënyrë të pamjaftueshme.

Në rezultatet e raportit ende nuk është reflektuar drama e përjetuar nga fëmijët muslimanë të Arakanit në Mianmar, për shkak se ende nuk janë përfunduar të dhënat për vititn 2017.