Çdo popull i ka ‘talebanët’ e vet!

Kim Mehmeti

Nga Kim Mehmeti

Nuk ka asgjë të krahasueshme mes relacionit Kosovë- SHBA, me atë Afganistan – SHBA. Aleanca Perëndimore e ndihmoi Kosovën të çlirohet nga thundra serbe, ndërkaq afganët donte t’i çlirojë nga bastardët e vet.

Dhe si ndodhi që pas njëzet viteve, afganët të kthehen aty ku ishin përpara ‘çlirimit’, është pyetje të cilës duhet t’i përgjigjen ata që këtij populli ia ringjallën shpresën se do mund ta mposhtë të keqen në vetvete, e që në fund e lan në mëshirën e po atyre që popullin e vet e kthyen në mesjetë – talebanëve?!
Një nga gabimet që u bënë në Afganistan mund të jetë edh ai që Perëndimi e bënë edhe në hapësirat tona: që shtetin e çliruar nga ‘talebanët’ ta ndërtojë me hajdutët, me ata që popullin e lejojnë që lirshëm ta jetojë varfërinë e vet dhe të cilët, dëgjueshmërinë ndaj perëndimit e kanë mbulesë për hajdutërinë.
Andaj, tragjedia e sotme afgane e rishpalosë të vërtetën se nuk ndërtohet shtet me hajdutë dhe se, kur të keqen e madhe e zëvendëson me një më të vogël, herdo – kurdo do kthehesh aty nga je nisur – te e keqja e madhe!
Dhe këtë tragjedi duhet parë edhe nga këndvështrime se thuajse çdo popull i ka ‘talebanët’ e vet, që atë do donin ta mbyllnin e ta mbulonin me ‘burkë’, që të mos i sheh punët e pista të sunduesve të vet, por popujt e civilizua nuk mbrohen nga bastardët e tij duke i zëvendësuar ata me politikanë e burrështetas hajdutë.
Sidoqoftë ai që është i pandjeshëm ndaj tragjedisë afgane nuk e meriton ndjeshmërinë e askujt ndaj dhembjes së tij. E ne shqiptarët duhet të sillemi njerëzishëm ndaj kësaj tragjedie, sepse e njohim edhe mallkimin e vetmitarit që nuk e ndihmon askush si edhe atë të viktimës që ia shtrinë dorën e shpëtimit.