Ceferin rizgjedhet president i UEFA-s edhe për një mandat katërvjeçar

Aleksandër Ceferin është rizgjedhur president i UEFA-s për një mandat të ri katërvjeçar.

Ceferin, i cili ka qenë president i organit qeverisës të futbollit evropian që nga viti 2016 kur mori detyrën nga Michel Platini, u konfirmua për një mandat të tretë në krye të UEFA-s, transmeton lajmi.net.

“Dua t’u falënderoj nga thellësia e zemrës për mbështetjen. Është nder dhe përgjegjësi e madhe kjo detyrë. Dua t’u premtoj se do të jam më të mirën time për të mos ju zhgënjyer juve dhe futbollin”, deklaroi 55-vjeçari.

Slloveni u rizgjodh për herë të parë në shkurt të vitit 2019 dhe iu dha drita jeshile për të vazhduar deri në vitin 2027 pas një votimi në Kongresin e fundit të UEFA-s në Lisbonë.

Secilit prej 55 vendeve anëtare të UEFA-s iu lejua një votë.

Ceferin ka qenë i zëshëm gjatë mandatit të tij në kundërshtim me projektin e dështuar të Superligës, i cili u propozua nga 12 klube më të mira evropiane – të gjithë u tërhoqën përveç Barcelonës, Real Madridit dhe Juventusit.