Celina dhe Berisha të gatshëm për Kosovën

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi ka hedhur poshtë spekulimet e shumta që Bersant Celina dhe Valon Berisha nuk do të paraqiten në ndeshjen e sotme kundër Spanjës.

Para ndeshjes, qarkulluan shumë lajme që mesfushori ofansiv Bersant Celina dhe ai qendror Valon Berisha do të mungojnë sot kundër Spanjës, për shkak se janë infektuar me Covid-19.

Këto lajme kanë qenë gënjeshtra dhe se Berisha me Celinën janë me skuadrën, i ka konfirmuar vetë presidenti Ademi.

Në një intervistë për GazetaOlle, Ademi tregoi se të dy lojtarët kanë rezultuar negativ.

“Testet e bëra në Kosovë kanë rezultuar negativ. Këto lajme si shumë të tjera kanë synim destabilizimin e skuadrës. Djelmoshat janë të gatshëm dhe të motivuar që ta përfaqësojnë në mënyrën më të mirë vendin e tyre”, tha Ademi.

Kosova do të zhvillojë sot ndeshje si mysafire kundër Spanjës, ku me fillim nga ora 20:45 të dy kombëtaret zbarkojnë në stadiumin “La Cartuja” të Sevillës, për tu përballur në kuadër të kualifikimeve për në Botërorin “Katar 2022”.