Në një botë që përjeton kriza të vazhdueshme – politike, ekonomike, morale dhe humanitare – nevoja për bashkim është bërë më urgjente se kurrë. Një ndër realitetet më të dhimbshme të ditëve tona është përçarja e thellë në mesin e vetë muslimanëve. Ndonëse i përkasin së njëjtës fe, lexojnë të njëjtin Kuran, drejtohen nga e njëjta Kible dhe e njohin të njëjtin Pejgamber, ata shpesh nuk ndajnë të njëjtat kauza, as nuk mbajnë qëndrime të njëjta për çështje që i prekin drejt për drejt vëllezërit e tyre në besim.
Ky realitet bëhet akoma më i theksuar kur hedhim vështrimin tonë drejt Gazës – një plagë e përgjakur në trupin e umetit islam. Populli i saj është arab dhe musliman. Por, e rrethuar nga vende të tjera arabe dhe muslimane, ajo mbetet shpeshherë e vetmuar në qëndresën e saj heroike, ndërsa të tjerët heshtin, ndjekin interesa lokale, ose i shërbejnë prioriteteve politike e ekonomike që i kanë vënë mbi vlerat e Islamit dhe mbi obligimin ndaj vëllazërisë në fe.
A janë kauzat e tjera më të rëndësishme se Islami?
Pyetja që na detyron të reflektojmë thellë është: Cilat kauza po i ndjekin muslimanët sot? A janë ato kauza që i bashkojnë, apo që i përçajnë? A po bashkohen për hir të Islamit dhe të drejtës, apo ndjekin rrugë të veçanta për interesa të ngushta?
Në disa shtete, kauza kombëtare, nacionalizmi, mbrojtja e pasurisë apo ruajtja e pushtetit janë shndërruar në qëllime në vetvete. Islami trajtohet thjesht si simbol tradicional, jo si kauzë që duhet të udhëheqë jetën dhe qëndrimet.
Kjo është një largim i madh nga mësimet e Kuranit, i cili thotë qartë: “Vërtet ky është besimi juaj, një besim i vetëm, dhe Unë jam Zoti juaj, ndaj më adhuroni vetëm Mua.” (Enbija, 92)
Bashkimi sipas Islamit nuk është luks, as opsion i dytë – është detyrim dhe rrugë shpëtimi. Zëvendësimi i tij me kauza të tjera është rrënim i themeleve të unitetit të umetit.
Gaza – Simbol i qëndresës dhe test i solidaritetit islam
Gaza është shumë më tepër se një territor i bllokuar. Është simbol i qëndresës islame, por edhe pasqyrë ku reflektohet përçarja e turpshme e botës muslimane.
Në një anë qëndron një popull që, me gjak mbron flamurin e paqes, që i edukon fëmijët e vet me dashurinë për Kuranin dhe dëshirën për shahadet. Në anën tjetër, qëndrojnë qeveri dhe institucione muslimane që shpesh paralizohen nga interesat e tyre, që nuk lejojnë as ndihmat humanitare të kalojnë, që bëjnë aleanca me shtypësin, ndërsa i kthejnë shpinën të shtypurit.
Kjo heshtje, kjo mospërfshirje, është tradhti e kauzës së Islamit. Sepse Pejgamberi a.s., ka thënë: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën dhe dhembshurinë mes tyre është si trupi: kur një pjesë dhemb, i gjithë trupi merr pjesë në dhimbje.” (Buhariu dhe Muslimi)
Ku është dhimbja e këtij trupi sot?
Disa kanë kërkuar bashkimin mbi baza të tjera: gjuha e përbashkët, historia e përbashkët, interesi ekonomik, ose thjesht armiq të përbashkët. Por historia ka treguar se këto janë kauza të përkohshme, që sa herë që interesat ndryshojnë, shkatërrohen.
Panarabizmi nuk bashkoi asnjëherë realisht vendet arabe. Nacionalizmi i shpuri disa kombe në përplasje të brendshme. Ideologjitë politike sollën më shumë ndarje sesa bashkim. Sepse nuk kishin në qendër Allahun dhe urdhrin e Tij.
Islami, përkundrazi, është fe që i bashkon njerëzit jo vetëm me fjalë, por me vlera: me drejtësi, mëshirë, devotshmëri, përgjegjësi dhe barazi para Zotit.
Kauzat që duhen ndjekur, në përputhje me Islamin
Kjo nuk do të thotë se nuk ka kauza të përbashkëta që mund të ndjekim. Përkundrazi, Islami na mëson që të angazhohemi në çdo kauzë që i shërben të mirës së përbashkët, për sa kohë që ajo nuk bie ndesh me fenë:
- Kauza e drejtësisë dhe e barazisë për të gjithë.
- Lufta kundër shtypjes dhe padrejtësisë.
- Përkrahja për arsimin dhe edukimin e drejtë.
- Mbrojtja e familjes dhe moralit.
- Ndihma për të varfrit, jetimët dhe nevojtarët.
- Bashkëpunimi për paqe dhe pajtim shoqëror.
Por, të gjitha këto duhet të jenë nën ombrellën e Islamit, jo jashtë tij. Islami nuk është pengesë për veprim, por është garanci për drejtësi dhe udhëzim të drejtë.
Kundërshtimi i kauzave që përçajnë
Në të njëjtën kohë, një musliman duhet të jetë i vetëdijshëm për rrezikun e kauzave të rreme, të atyre që shërbejnë për ndarje, përçarje apo për servilizëm ndaj fuqive të padrejta. Islami nuk e lejon as nënshtrimin ndaj shtypësit, as mospërfilljen ndaj vëllait të shtypur.
Allahu na urdhëron: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në të mira dhe devotshmëri, e jo në mëkate dhe armiqësi.” (El-Maide, 2)
Muslimanët nuk janë të paktë në numër, por janë të përçarë në kauza. Gaza nuk është thjesht një konflikt -,është pasqyra ku shihet sa larg kemi shkuar nga urdhri i Allahut për të qenë një ummet i vetëm.
Islami nuk kërkon bashkim sipërfaqësor. Ai kërkon vëllazëri të vërtetë, bashkim në vlera, drejtësi dhe mëshirë. Derisa kjo të ndodhë, shumë Gaza do të digjen, dhe shumë heshtje do të na rëndojnë ndërgjegjen.
Të mos harrojmë se kauza jonë e parë është Islami, dhe vetëm ai na bën vëllezër të vërtetë. Dhe për të qenë të bashkuar – nuk ka rrugë tjetër përveç rrugës së Allahut.
“Kapuni fort për litarin e Allahut të gjithë së bashku dhe mos u përçani…” (Ali Imran, 103)
Dr. Zenel Hajdini








