Çfarë na mëson Kurani?!

Mr. Muhidin Ahmeti (r.a)

“Është e vërtet se ky Kuran udhëzon për atë rrugë që është rruga e vetme e vërtetë (më e qëndrueshmja dhe më e fuqishmja), e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh.” (El Isra, 9)

Falënderuar qoftë Allahu xh.sh., i cili na e dërgoi Kuranin si udhëzim: “(Ky është) Libri, që të është zbritur ty, që me të t’ua tërheqësh vërejtjen dhe t’i këshillosh besimtarët, pra të mos ketë shtrëngim në gjoksin tënd (për kumtimin e tij).” (El-A’raf, 2), dhe si paralajmërim: “…Thuaj: “Allahu është Dëshmues mes meje e jush, e mua më është shpallur ky Kuran që metë t’ju tërheq vërejtjen juve dhe atij që i komunikohet (dhe të gjithë atyre që vijnë pas jush deri në Ditën e Kijametit). ” (El-En’am, 19), dhe si dritë për të shpëtuar nga terri: “Elif, Lam, Ra. (ky është) Libër; Ne ta shpallëm ty që me urdhrin e Zotit t’i nxjerrish njerëzit prej errësirave në dritë. ” (Ibrahim, 1), dhe si shërim e mëshirë për besimtarët: “Ne të shpallim Kuranin, që është shërim dhe mëshirë për besimtarët.” (El-Isra, 82).
Salavate qofshin për të dërguarin tonë Muhamedin a.s., të cilit iu dorëzua Kurani në zemër.
“E Kurani është me siguri shpallje e Zotit të botëve. Atë e solli shpirti besnik (Xhibrili). E solli në zemrën tënde, për të qenë ti prej atyre që tërheqin vërejtjen.” (Esh-Shu’ara, 192-194)
Kurani u erdhi në dorë njerëzimit i përkryer, pa të meta dhe deformime, si Fjala e madhërishme e Zotit, si udhëzimi më i mirë në çdo kohë për njeriun, dhe si porosia e fundit e Zotit për qenien tokësore, por edhe për ato jashtëtokësore. Kurani është udhërrëfyes për të gjithë njerëzit dhe në veçanti për besimtarët. Ky libër është krenari për myslimanët dhe dëshmi e dinjitetit të tyre. Njeriu s’mund të shkruajë as edhe një sure të vetme si suret në Kuran. Kurani është dhuratë mbinatyrore në mesin e religjioneve të Zotit dhe dhuratë speciale për Profetin e Zotit, Muhamed Mustafanë.
Për të gjithë myslimanët e botës, Kurani është Shpallja, Fjala dhe e vërteta e paprekshme dhe e parevokueshme e Allahut xh.sh.. Ai është udhëzim që na mëson si të besojmë, si të jetojmë, si të punojmë, si të veprojmë (sillemi) dhe si të organizohemi në familje, xhemat e popull. Ai është porosia dhe mesazhi i fundit për mbarë njerëzimin. Ai është paralajmërimi i fundit, vërejtja e fundit për mbarë botën.
“Ha, Mim. Kjo është shpallja nga i Gjithëfuqishmi, Mëshirëploti. Ky është libri, ajetet e të cilit janë të shkoqitur mirë. Ky është Kurani në gjuhën arabe për njerëzit që kanë dije. Sjell lajme të gëzuara dhe paralajmëron (për pasojat e rrugës së gabuar).” (Fussilet, 1-4).
Mysliman, pa Kuran, nuk ka. Ymet apo bashkësi të organizuar të myslimanëve, pa Kuran, nuk ka. Besim në botën e padukshme, sikurse janë: melaqet, shejtanët, xhinët, shpirti, berzahu, ahireti, xheneti dhe xhehenemi, pa Kuran, nuk ka. Shpjegim se kush e krijoi botën dhe jetën, pa Kuran, nuk ka. Përgjigje për pyetjen se kush jemi, përse jemi këtu dhe se ku do të shkojmë, pa Kuran, nuk ka.
Pikërisht për këtë arsye, kur Pejgamberi i nderuar, Muhamed Mustafaja u nda nga bashkësia myslimane, i la amanet dy gjëra të mëdha e të çmuara për ymetin, të njohura si “thekalejn”:“Po ua lë pas meje dy gjëra amanet, në qoftë se do t’u përmbaheni atyre, kurrë nuk do të humbni nga rruga e drejtë, e ato janë: Libri i Allahut dhe Suneti i Pejgamberit të Zotit. Këto dy gjëra nuk do të ndahen (nuk do t’i bien ndesh njëra-tjetrës) deri në Ditën e Gjykimit.”(Ebu Hurejre r.a.)
Këto janë dy testamente që duhet t’i ketë në shfrytëzim çdo njeri, çdo familje, çdo bashkësi, çdo popull, çdo komb, çdo shtet dhe çdo shoqëri në përgjithësi. Për këtë Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ajo shtëpi (familje) ku lexohet, mësohet dhe shpjegohet Kurani, shkëlqen për banorët e qiellit, sikurse yjet që shkëlqejnë dhe shndrisin banorët e Tokës.” (Aisheja r.a.)
Kurani është burimi i imanit tonë, d.m.th. burim nga i cili frymëzohemi, i cili na jep edhe më tepër fuqi dhe vendosmëri që të qëndrojmë të pathyeshëm në nënshtrueshmërinë ndaj Allahut të Lartësuar. Besimi dhe Kurani janë drita të cilat Allahu xh. sh. i vendos në zemrën e atij që Ai dëshiron, dhe ato janë bazë e çdo vepre të mirë edhe në dynja, edhe në Ahiret. Njohja e imanit – besimit dhe Kuranit është dituria më madhështore, e në esencë, nuk ka dituri, nga e cila mund të përfitojë njeriu aq sa mund të përfitojë duke njohur imanin- besimin dhe Kuranin.
Secila sure (kapitull) e Kuranit e furnizon lexuesin e Kuranit me një fond të jashtëzakonshëm emocionesh që kanë ndikim direkt në të dhe e formojnë atë. Secila sure ka atmosferën e vet të veçantë, fjalët e veçanta, mënyrën e të shprehurit, idenë, që të gjitha këto lindin emocione të veçanta, ashtu që surja i ngjanë qenies së gjallë që merr frymë, lëviz, na bën shoqëri, inicion mendime, zgjon një spektër ndjenjash të larmishme, të cilat luajnë rol tejet të madh në përqafimin e porosisë.
Personi që shoqërohet me Kuranin, duke i kaluar faqet e tij, fiton përshtypjen që secila sure është sikur një dhomë, laborator, që me përmbajtjen e tij, projekton emocione të caktuara, duke ia zgjuar dhe freskuar pjesë – pjesë zemrën, duke i kushtuar vëmendje perfekte te gjitha aspekteve emocionale të tij. Pas një mësimi- leximi të kujdesshëm, të drejtë dhe me kuptim të 114 sureve të Kuranit, e tërë zemra bëhet e zgjuar dhe e përfshirë nga drita e të kuptuarit të drejtë, ndërsa mendja bëhet e aktivizuar dhe e orientuar nga absorbimi dhe përpunimi i drejtë i informacioneve.
Këtu qëndron sekreti i këshillës së Pejgamberit a.s. që të lexojmë Kuran çdo ditë, të paktën një xhuz, meqë kjo është mënyra për t’i ruajtur zemrat tona nga vdekja parciale, në fund edhe nga vdekja e plotë e organit, i cili nëse është në rregull (funksionon mirë), e tërë qenia do të jetë në rregull dhe anasjelltas.
Disa dijetarë thonë, kujt i kalon një muaj, e gjatë asaj kohe, të paktën një herë, nuk e ka lexuar tërë Kuranin , këndojani atij personi 4 tekbire (duke aluduar në xhenazen e zemrës së vrazhdë, të ngurosur, të vdekur). Allahu na ruajt nga ai mallkim.
Është fakt i njohur që ndikimi kuranor nuk është i kufizuar vetëm në domethëniet e fjalëve dhe ndikimin e tyre, sepse, përndryshe si do të shpjegonim ndikimin e Kuranit te njerëzit, të cilët nuk e kuptojnë gjuhën arabe, te të paditurit, fëmijët, jobesimtarët?!
Ata, të cilët e lexojnë Kuranin ndahen në disa kategori. Ka prej atyre të cilët e lexojnë Kuranin, por nuk e kuptojnë. Ka prej atyre të cilët e lexojnë dhe e zbukurojnë zërin e tyre që ta dëgjojnë të tjerët se e ka melodinë-mekamin e mirë, por nuk mendojnë për domethëniet e tij. Të paktë janë ata, të cilët derisa janë duke lexuar Kuranin mendojnë dhe meditojnë për kuptimet dhe domethëniet e tij, edhe më të paktë janë ata të cilët derisa janë duke lexuar Kuranin zemrat u dridhen e sytë u mbushem me lot.
“Librin që po ta shpallim është plotë begati e bekime, në mënyrë që t’i studiojnë argumentet e tij dhe që të marrin mësim prej tij ata që kanë mend.” (Sad, 29)
Kurani është udhëzimi i Allahut, drita e qartë, shëruesi i vlefshëm, roje nga gjynahet për atë që i përmbahet atij, shpëtim për atë që e ndjek.
“Lexojeni atë sa më shumë, sepse Allahu do t’ju shpërblejë për të, për çdo shkronjë dhjetë sevape. Nuk them që “elif-lam-mim- është një shkronjë, por “elifi” është një, “lami” është i dyti dhe “mimi” është harfi i tretë.”
Ndërsa në hadithet e tjera, Resulullahu a.s. ka thënë: “Kush e këndon ajetu-l-Kursinë pas çdo namazi, vetëm vdekja e ndan prej Xhenetit.” “Këto zemra me të vërtetë mund të ndryshken, sikurse ndryshket hekuri kur laget në ujë.”
– E si do t’i pastrojmë, o Pejgamberi i Zotit – pyeti dikush?
– “Nëse mendojmë shumë për vdekjen dhe nëse këndojmë Kuran” – u përgjigj Muhamedi a.s. (Bejhikiu) “Kur njerëzit mblidhen në xhami për të kënduar Kuran dhe për ta studiuar atë, Allahu xh.sh. do t’u ofrojë paqe e siguri, do t’i mbulojë me rahmetin e Tij, do t’i rrethojë me melaqe dhe do t’i përmendë në shoqërinë e melaqeve, pejgamberëve dhe njerëzve të mirë.” (Ebu Davudi). “Kush dëgjon një ajet nga Libri i Allahut, Allahu do t’ia dyfishojë shpërblimin. Mirëpo, kush e lexon një ajet nga Libri i Allahut, ai do t’i bëhet dritë në ditën e Gjykimit.” (Ahmedi nga Ebu Hurejre).
Po e shkruaj këtë për ty që je në sprovën e madhe të kohës moderne, në presionin e përditshëm të punës, të mësimit dhe të obligimeve të tjera të ndryshme.
Vërtet kjo është koha e shpejtësisë, nxitimit dhe dinamikës së tmerrshme. Të gjithë duan të punojnë, të mësojnë, të fitojnë më shumë, edhe më shumë, gjithnjë e më shumë.
Si t’ia bëjmë që të mos e harrojmë Allahun, Zotin e Dashur dhe Fisnik në këtë labirint të dynjasë? Çfarë të bëjmë që zemrat tona të mos robërohen nga synimet për përfitime materiale, për grumbullimin e pasurisë, për epshet e shfrenuara, por që në to të mbetet besimi i sinqertë tek Allahu, dashuria e sinqertë, nënshtrimi dhe bindja ndaj Tij dhe Pejgamberit të Tij, Resulullahut të dashur?
Këto pyetje duhet t’u interesojnë të gjithëve, edhe mua, edhe ty. Më beso, mos i nënvlerëso ato! Kuptoje se në asnjë mënyrë nuk duhet të harrosh Allahun për shkak të punës, sepse të harruarit e Allahut fshin pamëshirshëm imanin nga zemra e njeriut! A nuk ke dëgjuar për ajetin kuranor që thotë: “E mos u bëni si ata që e harruan Allahun, e Ai (Allahu) bëri që ata ta harrojnë vetveten! Të tillët janë ata të prishurit.” (El-Hashr, 19) Përpiqu çdo ditë të shoqërohesh me Kuranin dhe me përkthimin e tij. Vërtet, Islami është fe madhështore, fe që përfshin çdo segment të jetës, përkatësisht është fe që paraqet një sistem të rrumbullakuar, mënyrën e jetës së gjithmbarshme, si të një individi, ashtu edhe të tërë shoqërisë. Meqë asnjë punë serioze nuk mund të bëhet pa literaturë të përshtatshme, edhe neve na duhet një “libër i jetës islame”, një rikujtues konkret dhe një udhëzues konkret, e ai është Kurani, Libri i Allahut. Meqenëse, për shkak të obligimeve të ndryshme në punë, në familje, në shkollë etj., ke pak kohë në dispozicion, të porosis që çdo ditë të mundohesh t’i lexosh fillimisht vetëm dy faqe të Kuranit (jo më shumë se kaq) në gjuhën arabe (nëse di, e nëse këtë akoma nuk e ke mësuar, të propozoj që të gjesh kohë e të regjistrohesh në kursin e Kuranit dhe ta mësosh atë) dhe më pastaj të lexosh me kujdes përkthimin e tij.
Po ta propozoj këtë radhitje, sepse vetëm teksti origjinal i Kuranit në gjuhën arabe është në të vërtetë Fjala e Allahut (çdo përkthim është vetëm një përkthim njerëzor i tekstit dhe asnjëri prej tyre nuk kanë prejardhje drejtpërsëdrejti nga Allahu) dhe i vetmi ai e ka atë cilësi që leximi i tij i shlyen gjynahet nga zemra jote dhe i shkruan veprat e mira në librin tënd, qoftë edhe nëse asgjë nuk ke kuptuar nga ajo që e lexon. Po ashtu, vetëm teksti origjinal arabisht i Kuranit është ilaç dhe mbrojtje prej sëmundjeve të ndryshme, edhe fizike edhe psikike. Po, meqë cilësia më e rëndësishme është ajo që të udhëzon në rrugën e drejtë, ti nuk guxon të mbetesh aty, por patjetër duhet të lexosh edhe përkthimin e asaj që e ke lexuar në gjuhën arabe.
Këtu nuk ka rëndësi aspak sasia, por me rëndësi është vazhdimësia dhe cilësia e mësimit dhe studimit të Kuranit. Domethënë, nuk do të arrish shumë nëse një ditë këndon dhe lexon njëqind faqe, e pastaj një muaj me radhë nuk e merr fare Kuranin në dorë. Jo, mos e bëj këtë në asnjë mënyrë, sepse Kurani, marrë guximin të them, është shpallur më shumë për ty që të ta kujtojë vazhdimisht dhe çdo ditë Krijuesin dhe Zotin tënd dhe Ditën e Gjykimit si dhe për të të udhëzuar në rrugë të drejtë në këtë jetë.
Prandaj më e rëndësishme është vazhdimësia në leximin dhe studimin e Kuranit, sepse pikërisht ai, karshi baticave të presioneve dhe problemeve të kësaj bote, ta bën të pamundur ta harrosh Allahun dhe obligimet e tua ndaj Tij.
Prandaj, mos e ngarko veten tënde. Lexoji vetëm nga dy faqe në ditë, por për çdo ditë, pa përjashtim. Nëse do të veprosh kështu do të duhen, nëse do Allahu, dhjetë muaj që të lexosh krejt Kuranin, e kur ta mbarosh, fillo përsëri nga fillimi, sepse qëllimi është që të shoqërohesh me Kuranin çdo ditë, tërë jetën.
Caktoji vetvetes një kohë që e ke më të përshtatshme për këtë. Mund t’i lexosh në mëngjes para se të shkosh në punë, apo në shkollë. Mundesh në mbrëmje para fjetjes. Me siguri nuk do të duhen më shumë se gjysmë ore, sepse fjala është vetëm për dy faqe.
Përveç vazhdimësisë është e rëndësishme edhe cilësia e studimit të Kuranit. Duhet ta dish që Kurani nuk mund të lexohet siç lexohet çfarëdo libër tjetër. Mos lejo që ta kesh zemrën indiferente ndaj ajeteve të Kuranit. Lexoi ngadalë me kujdes dhe përpiqu t’i “ndjesh me zemër” dhe “t’i ringjallësh nga brenda” sa më shumë që mundesh, sepse Allahu i Lartësuar, pikërisht për këtë na paralajmëron në ajetin vijues:
“Këta janë ata pejgamberët që Allahu i gradoi nga pasardhësit e Ademit, prej pasardhësve të atyre që i patëm bartur (në anije) bashkë me Nuhun, prej pasardhësve të Ibrahimit dhe të Jakubit (Israilët), dhe prej atyre që i udhëzuam dhe i bëmë të zgjedhur; kur u lexoheshin atyre ajetet e Zotit, binin në sexhde dhe qanin.” (Merjem, 58)
Kur të kuptosh porosinë e ajeve të Kuranit, merr vendim të fuqishëm që ato t’i zbatosh në jetën tënde me këmbëngulje dhe sa më shumë që mundësh. Vepro kështu me të vërtetë.
Kurani, është libër i hapur dhe i përshtatshëm për të gjithë. Çdokush mund të gjejë tek ai atë çka i duhet, natyrisht sipas aftësive të tij. Në atë libër janë të gjitha të vërtetat dhe të gjitha të mirat, të cilat i zbulojnë njerëzit, i formulojnë me fjalët e tyre dhe i shfrytëzojnë në mënyrën e tyre. Shkurt, aty janë të gjitha të vërtetat dhe të mirat e dynjasë dhe të Ahiretit. Njeriu ka pranuar nga Allahu një amanet të madh, tepër të madh, e ai është Kurani Kerimi, prandaj të shikojmë mirë, vëllezër të dashur, që atë amanet të mos e neglizhojmë dhe të mos e tradhtojmë dhe që të mos jemi prej atyre, të cilët Kurani do t’i mallkojë, por të jemi prej atyre, për të cilët Kurani do të ndërmjetësojë në Ditën e Gjykimit.
O Allah! Bëj që Kurani të na bëhet shok dhe prijës në këtë botë, ndërmjetësues në Ditën e Kiametit, dritë në rrugë dhe udhërrëfyes e imam në veprat e mira. Amin!

Mr. Muhidin Ahmeti (r.a)

Nga arkiva/islamgjakova