Brenda 12 orësh pas votimit të Qeverisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i mblodhi vartësit e tij.
Mbledhja e parë e ekzekutivit, u mbajt mëngjesin e së enjtes.
Teksa uroi ministrat për pozitat e zgjedhura, Kurti i porositi ata edhe për përmbushje të detyrave.
Derisa vetë shprehu gatishmëri që çështja e presidentit të diskutohet sa më parë.
“….Jam i gatshëm që nga nesër të fillojmë kontaktet dhe diskutimet me subjektet tjera politike për çështjen e Presidentit”, u shpreh Kurti.
Mbledhja pastaj vazhdoi me disa pika të rendit të ditës, përfshirë këtu votimin e projektbuxhetit për vitin 2026, e cila iu procedua Kuvendit për miratim.
“Është buxhet me vlerë prej 4 miliardë euro. Për komunat parashihen 867 milionë euro. Ky buxhet përmban edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik, që do të paguhet sapo të hyjë në fuqi ligji i buxhetit”, tha Kurti.
Detaje për përmbajtjen e këtij buxheti dha ministri i Financave, Hekuran Murati.
“Është një projektligj i cili ishte proceduar sipas afateve ligjore dhe si pamundësi për të miratuar në kuvend, po e ri procedojmë edhe njëherë. Projektligji i buxhetit për 2026 përmban shifrën 4 miliardë euro, kjo financohet nga të hyra buxhetor prej 3.64 miliardë euro, ndërkaq pjesa tjetër është financim qoftë huamarrje apo metoda të tjera përmes deficitit”, sqaroi Murati.
Në këtë mbledhje u miratuan edhe pesë marrëveshje ndërkombëtare.
Në mesin e tyre është edhe marrëveshja mes Kosovës dhe BE-së për aranzhimet e zbatimit të përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për reforma dhe rritje.
Në Qeveri u votua edhe marrëveshja për kredi nga BE në vlerë 629 milionë euro për reforma dhe rritje për Ballkanin Perëndimor.
Po ashtu, ekzekutivi votoi ratifikimin e projektit KOMPAS, ne vlerë 18.6 milionë euro për formësimin e kapaciteteve institucionale në rritjen e cilësisë së kujdesit në sistemin shëndetësor të Kosovës.
Kurti bashkë me ministrat e tij, ratifikuan edhe marrëveshjen e kredisë në Bankën Botërore, për projektin e edukimit në fëmijëri të hershme dhe kujdes për kapital njerëzor.








