Çmimet e gazit natyror në Europë rriten më shumë me ardhjen e motit të ftohtë

Çmimet e energjisë në Europë u rritën sërish të hënën pas rënies së temperaturave dhe uljes në nivelin më të ulët të më shumë se një muaji të fluksit të furnizimit me gaz natyror nga një tubacion kryesor rus.

Instrumentet derivative të lidhura me TTF, çmimi me shumicë i gazit në Europë, u rritën në 148,50 euro për megavat orë të hënën, nga një çmim rekord prej 136 euro për megavat orë në mbyllje të javës së kaluar. Kjo rritje e fundit e çmimit kërcënon të vazhdojë të rrisë faturat e energjisë për miliona familje në të gjithë kontinentin, ashtu sikundër edhe parashikimet e motit tregojnë se do të ketë temperatura nën zero gradë Celsius në disa qytete europiane.

Kostot e energjisë janë rritur së tepërmi këtë vit pasi ekonomia globale, e cila ndodhet në fazë rimëkëmbjeje, e rriti kërkesën dhe, në Europë, kërkesa për furnizime shtesë me gaz nga Rusia mbeti pa përgjigje. Çmimet e gazit në Europë janë rritur me më shumë se 600 për qind që nga janari dhe tani po tejkalojnë nivelet rekord të vendosura në tetor.

Nivelet e ulëta të rezervave, konkurrenca nga Azia për ngarkesat e gazit natyror të lëngshëm dhe dyshimet mbi synimet e Rusisë kanë vazhduar të rrisin çmimet në Europë, sipas Laurent Ruseckas në IHS Markit, një kompani konsulence.

Furnizimi përmes tubacionit Yamal-Europe, një nga tre rrugët që përdor Gazprom-i shtetëror i Rusisë për të furnizuar me gaz natyror Europën veriperëndimore, ra në 6 për qind të kapacitetit të shtunën dhe 5 për qind të dielën.

Rruga Yamal përmes Polonisë, e cila është më e vogla nga tre tubacionet, aktualisht është përgjegjëse për afërsisht 10 për qind të furnizimit me gaz rus në Europën veriperëndimore, thanë analistët. Megjithatë, rënia e vëllimeve të rezervuara në këtë gazsjellës pati një ndikim të menjëhershëm te çmimi.

“Tregu është në një gjendje shumë të ndjeshme, prandaj kur dalin këto gjëra, çmimet ndikohen në mënyrë të dukshme dhe të menjëhershme,” tha Ruseckas.

Ai shtoi se ishte e pamundur të dihej me siguri arsyeja e reduktimit të furnizimit. Gazprom në përgjithësi ka refuzuar t’i shesë Europës vëllime shtesë të gazit këtë vit në tregun spot, por ka thënë në mënyrë të përsëritur se i ka përmbushur të gjitha kontratat me blerësit europianë.

Gazprom furnizon me gaz “sipas kërkesave të klientëve, në përputhje të plotë me detyrimin kontraktual”, tha të hënën kompania shtetërore ruse.

Zyrtarët europianë dhe amerikanë kanë akuzuar Moskën se luan politikë me furnizimin dhe ndalon gazin për të ushtruar presion mbi BE-në që, përveҫ të tjerave, të miratojë tubacionin e diskutueshëm Nord Stream 2 i cili kalon përmes Detit Baltik.

Gazprom i ka mbajtur rezervat e tij nëntokësore në Gjermani dhe Austri në nivele dukshëm më të ulëta se në vitet e mëparshme, pavarësisht deklaratave publike të presidentit rus Vladimir Putin se kompania do të rriste furnizimin.

Ronald Smith, analist i lartë i naftës dhe gazit në BCS në Moskë, tha se rënia e furnizimit në tubacionin Yamal mund të vijë si rrjedhojë e temperaturave shumë të ftohta, të cilat kanë arritur minus 25 gradë Celsius në Rusinë perëndimore dhe afër minus 50 gradë C në Siberinë Lindore.

“Është e mundur që moti i ftohtë këtu në Rusi po kufizon kapacitetin eksportues të Gazprom në një farë mase dhe/ose ata po punojnë për të ruajtur rezervat ruse sa më shumë të jetë e mundur,” tha ai.

Furnizimi me gaz përmes dy rrugëve të tjera për në Europën veriperëndimore ka vazhdur të jetë i qëndrueshëm, me një rritje të lehtë të furnizimit nga TurkStream, tubacionit të Detit të Zi që shkon nga Rusia në Turqi e deri në Europën Jugore, tha Mitch Jennings, analist në Sova Capital. /monitor