Corriere Della Sera: Vetëm një viktimë kosovare nga rrëzimi i aeroplanit

Sipas gazetës italiane Corriere Della Sera, nga rrëzimi i aeroplanit që ndodhi mbrëmë në Shkup, është një viktimë kosovare, Visar Begaj, ndërkaq të tjerët janë italianë.

Sipas Corriere, Visar Begaj, kosovar me shtetësi italiane është një nga viktimat e rrëzimit të aeroplanit në Shkup, transmeton lajmi.net

Të tjerët janë të gjithë italianë. Piloti Francesco Montagner, president i aero-klubit sportiv amator të Trevisos, zëvendëspresidenti i këtij klubi Dario Bastasin, Luca Dalle Mulle, Angelo Callegari dhe Ilaria Berti.

Viktimat kanë jetuar në Padua dhe Udine të Trevisos.

Mediat në Maqedoni dje raportuan se nga rrëzimi i aeroplanit mbetën të vdekur dy kosovarë. Fillimisht u tha se Visar Begaj vdiq së bashku me vëllanë e tij, ndërkaq lajmi u demantua më vonë.

Sipas njoftimeve, Begaj së bashku me italianët kishin planifikuar të hapnin Qendrën Aeronautike të Kosovës në komunën e Istogut.