“COVID-19 mbërriti në SHBA në dhjetor të vitit 2019, edhe pse rasti i parë u raportua në fund të janarit”

SARS-CoV-2, virusi që shkakton sëmundjen COVID-19, mund të ketë mbërritur në SHBA në dhjetor të vitit 2019, shumë më parë sesa është raportuar zyrtarisht, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një studimi të botuar nga Universiteti i Oksfordit, rastet e para me COVID-19 u identifikuan në Wuhan të Kinës në dhjetor të vitit të kaluar dhe ndoshta mbërritën në SHBA në të njëjtin muaj, edhe pse zyrtarët amerikanë rastin e parë e raportuan në fund të janarit.

Qendra e SHBA-ve për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në periudhën nga 13 dhjetori deri më 17 janar kanë ekzaminuar mostrat e arkivuara të mbledhura nga Kryqi i Kuq Amerikan nga 7.389 donatorë të gjakut të banorëve në nëntë shtete amerikane.

Sipas studimit, antitrupat COVID-19 u zbuluan në 106 prej 7.389 donatorë të gjakut.

“SARS-CoV-2 mund të jetë paraqitur në SHBA para 19 janarit”, tha studimi, duke shtuar se “virusi ishte i pranishëm në SHBA më herët sesa ishte njoftuar më parë”.

Sipas të dhënave nga Universiteti amerikan John Hopkins, SHBA vazhdon të jetë vendi më i prekur nga pandemia COVID-19, pasi deri më tani ka regjistruar mbi 13,7 milionë raste dhe mbi 270 mijë të vdekur.

Në mbarë globin, numri i rasteve të koronavirusit është mbi 63,9 milionë, ndërsa ai i vdekjeve mbi 1,48 milionë.

Shteti amerikan Florida dje u bë shteti i tretë që regjistroi 1 milionë raste, disa javë pasi shtetet Texas dhe California arritën këtë shifër.

Në frontin e vaksinave, të hënën kompania amerikane bioteknike Moderna tha se po paraqet kandidatin e saj të vaksinës për autorizimin e përdorimit urgjent në SHBA dhe Evropë. Kompania tha se 20 milionë doza do të jenë në dispozicion në SHBA deri në fund të këtij viti dhe se planifikon të prodhojë 500 milionë deri në 1 miliardë doza në mbarë globin në vitin 2021.

Dje, kompania farmaceutike amerikane Pfizer dhe partneri i saj gjerman BioNTech po ashtu thanë se kanë aplikuar në Agjencinë Evropiane të Barnave për autorizimin e vaksinës së tyre.

Sot, Mbretëria e Bashkuar është bërë vendi i parë që lejoi përdorimin e vaksinës së zhvilluar nga Pfizer dhe BioNTech në publik pas miratimit të rregullatores. Vaksina planifikohet të vihet në dispozicion javën e ardhshme.