Gjatë izolimeve globale të vitit 2020, lëvizja detare u ngadalësua në ekstrem dhe ndotja nënujore pothuajse u zhduk.
Në atë heshtje të pazakontë, u bënë të dukshme vetëm këngët dhe zhurmat natyrore të jetës detare.
Për dekada me radhë mendohej se deti ishte thuajse i heshtur, thjesht sepse njeriu nuk i dëgjonte dot këto frekuenca. Por me përdorimin e hidrofonëve në fillim të shekullit XX, doli në pah se organizmat detarë përdorin një gamë të gjerë tingujsh për komunikim, gjueti dhe riprodhim. Rritja e zhurmës së shkaktuar nga aktiviteti njerëzor ka ngritur shqetësime serioze se sjellje kyçe të faunës detare po dëmtohen.
Që prej vitit 2010, shkencëtarët po kërkonin mënyra për të “qetësuar detin” për të kuptuar ndikimin real të zhurmës tek jeta detare. Pandemia, pa asnjë planifikim, ua dha këtë mundësi.
Me ndalimin e anijeve tregtare dhe zhdukjen e trafikut turistik, oqeanet u dëgjuan si rrallëherë më parë: pa zhurmën e motorëve. Studiuesit vazhdojnë ende të analizojnë atë vit të pazakontë qetësie për të matur dëmet që zhurma artificiale mund t’u shkaktojë specieve detare.
Peter Tyack, profesor i biologjisë së gjitarëve detarë në Universitetin e St Andrews dhe bashkëthemelues i projektit ndërkombëtar International Quiet Ocean Experiment (IQOE), shpjegon se ideja e tyre ishte të ulej volumi i zhurmës, jo të shtohej, por në kushte normale, një ndërhyrje e tillë globale është praktikisht e pamundur.
Viti 2020 e bëri realitet.
Pandemia uli tregtinë detare globale me rreth 4.1%. Në disa zona, trafiku detar ra deri në 70%, duke shkaktuar një reduktim të vlerësuar prej 6% të energjisë akustike të anijeve në nivel global. Ishte një eksperiment natyror unik.
Rreth 200 hidrofonë të vendosur në oqeanet e botës regjistruan tingujt para, gjatë dhe pas izolimeve. Në Zelandën e Re, mbyllja e 26 marsit çoi në ndalimin pothuajse total të lundrimit në Gjirin Hauraki, zonën më të ngarkuar detare të vendit. Brenda vetëm 12 orësh, zhurma nënujore ra në një të tretën e niveleve normale, duke rritur aftësinë e peshqve dhe delfinëve për t’u dëgjuar deri në 65% më larg.
Miles Parsons nga Australian Institute of Marine Science thekson se tingulli është kanali kryesor i perceptimit për shumicën e jetës detare. Sipas një studimi të fundit, mbi dy të tretat e rreth 20 mijë llojeve të peshqve prodhojnë tinguj për komunikim, mbrojtje ose gjueti.
Balena, për shembull, përdor shtresën e “kanalit të thellë zanor”, në të cilën tingulli udhëton për mijëra kilometra. Ndërkohë, karkalecat “snapping shrimp” krijojnë një zhurmë të fortë për të trembur grabitqarët, që mund të arrijë mbi 210 decibel.
Por panorama akustike e oqeaneve po ndryshon. Zhurma nga aktivitetet njerëzore, së bashku me ndikimet klimatike si stuhitë apo shkrirja e akullnajave, ka ardhur duke u rritur prej dekadash.
Meqë rreth 90% e mallrave konsumatorë transportohen me anije gjigante, trafiku detar është kthyer në burimin kryesor të zhurmës artificiale. Degradimi i ekosistemeve detare, si zhdukja e pyjeve të algave, dëmtimi i koraleve dhe shfrytëzimi i tepruar i resurseve, ka reduktuar edhe vetë biomën që prodhon tinguj natyralë.
Simpson shpjegon se dikur peizazhi zanor i oqeaneve formohej kryesisht nga zhurmat e specieve detare dhe ato natyrore si era, reshjet, rrymat. Sot, tabloja ka një shtresë të tretë, zhurmën e motorëve dhe teknologjive të njerëzimit.
Zhurma artificiale mund të mbysë tingujt e jetës detare, duke kufizuar komunikimin, njësoj si një bisedë në një bar të mbipopulluar. Paparashikueshmëria e burimit të zhurmës mund të jetë po aq stresuese sa edhe intensiteti i saj. Studime në Oqeanin Paqësor kolumbian dhe në Australi tregojnë se balenat ndërpresin ushqimin, zhyten më gjatë ose ndryshojnë sjellje në praninë e anijeve.
Ka prova edhe për lidhjen mes sonarëve ushtarakë dhe rasteve të plazhit të balenave hundë-gjata, me dëmtime të rënda të brendshme dhe probleme të dëgjimit.
Në mënyrë të ngjashme me njerëzit, ndotja akustike sjell pasoja në mirëqenien “mendore” të balenave dhe specie të tjera, duke shkaktuar stres kronik, jetëgjatësi më të shkurtër dhe riprodhim të reduktuar. Edhe peshqit e koraleve tregojnë sjellje më të kujdesshme kur përballen me zhurma motorësh, ndërsa kujdesi prindëror bie ndjeshëm.
Të dhënat e mbledhura nga IQOE gjatë vitit 2020 treguan se edhe ndryshime të vogla në trafikun detar, edhe nga anije të vogla, kanë ndikim të menjëhershëm në peizazhin akustik të oqeanit.
Ironikisht, kuptimi i mënyrës si speciet përdorin tingullin ka hapur edhe një rrugë të re për restaurimin e ekosistemeve detare. Duke përdorur altoparlantë nënujore për të riprodhuar tingujt e një shkëmbi koral të shëndetshëm, shkencëtarët kanë arritur të tërheqin peshq dhe organizma të tjerë në zona të degraduara, duke i ndihmuar të rikuperohen.
Një rezultat i rëndësishëm i IQOE ishte krijimi i Ditës Botërore të Monitorimit Akustik Pasiv në Oqeane (WOPAM), më 8 qershor 2023. Iniciativa, e nisur nga Parsons dhe Simpson, përfshiu qindra persona në mbarë botën që ndanë regjistrimet e tyre, nga kanalet e Londrës deri te liqenet e Francës.
Siç kujton Simpson, “Ishte një çast i rrallë, ku të gjithë patëm mundësinë të dëgjonim një univers tjetër dhe ta ndanim atë përvojë me botën”.








