Cunami psikologjik – Ndikimi i dhunës në familje

Haleh Banani

E shtrirë në dysheme, duke ndjerë të ftohtin e pllakave dhe shijen e gjakut në gojën e saj, dalëngadalë Huda filloi të vinte në vete dhe të vetëdijesohej për atë çka i kishte ndodhur. Zëri gjëmues i të shoqit duke bërtitur dhe duke mallkuar me pamja e tij kërcënuese filloi të qartësohej edhe më shumë. Në ato momente zemra e saj u pushtua nga frika se mos pësonte një goditje tjetër dhe trupi i saj që dridhej filloi të ndjente dobësi, pafuqi dhe pasiguri. E ndërsa i shoqi mizorisht si për të përmbushur egon e tij dhunuese i dha edhe një goditje fatale në bark. Në mbrëmje Huda u deklarua e vdekur bashkë me vajzën e saj që kishte mundur ti mbijetonte brutalitetit të të atit prej gjashtë muajsh brenda në mitër.

Shumë gra të tjera nëpër botë ashtu si Huda e jetojnë jetën e tyre në terror të vazhdueshëm, duke u ndjerë të privuara dhe të padenja për dashuri. Disa prej tyre vuajnë në heshtje, të pushtuara nga frika dhe turpi për t’i denoncuar bashkëshortët e tyre.

Dhuna në familje është një tragjedi që helmon shoqëritë në mbarë botën pavarësisht statusit ekonomik, etnisë, edukimit, fesë apo profesionit.

Statistika shokuese:

2000 në 4000 gra dhunohen për vdekje çdo vit në SHBA.
Sipas qendrave shëndetësore rreth 300000 gra shtatzëna raportojnë që dhunohen gjatë shtatzënisë – 1.
Çdo ditë në SHBA minimum tre gra vriten nga partnerët e tyre – 2.
Në çdo vit rrihen rreth 6 milion gra.
Dhuna në familje ndikon në mirëqenien psikologjike dhe emocionale të një gruaje ashtu si cunami shkakton shkatërrime kolosale në një qytet metropolitan. Natyra e paparashikueshme dhe e rrezikshme e burrave që dhunojnë gratë shkakton terror, ankth dhe depresion tek ato, ashtu si një stuhi që ndodh papritmas dhe i lë banorët qytetit në një gjendje shoku dhe frike të vazhdueshme. Plagët emocionale zgjasin shumë më gjatë se plagët fizike. Për vite të tëra ndikimi i tyre mbetet prezent aq sa mund të çojë deri në vetëvrasje. Kthetrat e dhunës shkaktojnë një varg dëmesh psikologjike si:

Depresioni

Gratë, viktima të dhunës, janë të mbushura me trishtim, janë pashpresa dhe të dëshpëruara, ndjenja këto që shpien në depresion. 60% e grave të dhunuara raportojnë gjendje depresive që është dhe simptoma më e shpeshtë e dhunës në familje3. Depresioni është çrregullim i gjendjes së humorit ku ndjenjat si trishtimi, zemërimi apo frustrimi janë të përditshme për javë të tëra ose dhe më gjatë. Trishtimi prek çdo aspekt të jetës, mendimet, ndjenjat, gjumin, të ngrënit, gjendjen fiziologjike, marrëdhëniet njerëzore dhe aftësinë për të punuar. Personat që përjetojnë dhunë nga partneri apo ndonjë anëtar i familjes, janë të predispozuar ndaj çrregullimeve mendore dhe emocionale. Fakti që ato po abuzohen nga një person i cili në të vërtet duhet të ishte mbrojtësi i tyre shkakton tek viktimat ndjenjën e braktisjes, tradhtisë dhe paqëndrueshmërisë.

Edhe pse është e natyrshme të ndihemi keq kur përballemi me situata të vështira, si besimtarë është e rëndësishme të kuptojmë se në çdo gjë që na ndodh ka urtësi. Të kuptosh dhe të pranosh caktimin e Zotit nuk do të thotë aspak që të tolerosh abuzime të ndryshme që mund t’ju ndodhin. Por, nënkupton që jeta është e mbushur me vështirësi dhe besimi dhe lutjet duhet t’i drejtohen Zotit ndërkohë që kërkojmë dhe zgjidhjen e duhur.

Është transmetuar nga i dërguari a.s. i Zotit se ka thënë: “Është e çuditshme puna e besimtarit. Gjithë jeta e tij është mirësi. Nëse atij i vjen një e mirë, ai falenderon Zotin dhe merr shpërblim për këtë gjë. Nëse atij i bie një fatkeqësi, ai duron për hir të Zotit dhe përsëri shpërblehet për këtë gjë e kjo gjë ndodh vetëm me besimtarin”. (Muslimi)

“E mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut, shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humb askush, përveç jobesimtarëve”. {Jusuf, 87}

Çrregullimi i stresit post-traumatik (ÇSPT)

Pasi kanë qenë viktimë e dhunës shumë gra përjetojnë tronditje nga abuzimi që ndryshe quhet stres post-traumatik (SPT). SPT është lloj i çrregullimeve të ankthit që ndodh pasi keni parë apo përjetuar një ngjarje traume që përfshin kërcënim për jetën. Viktimat e dhunës në familje shpesh vazhdojnë të përjetojnë frikë edhe nëse janë ndarë nga partneri.

SPT karakterizohet nga simptoma të tilla si paraftyrime, makthe nate, ankthe, mpirje emocionale, pagjumësi, vigjilencë e lartë dhe shmangie aktivitetesh, vendesh apo njerëzish që risjellin ndërmend traumën.

Ka shumë faktorë që ndikojnë në intensitetin e SPT-së: ashpërsia e dhunës, kohëzgjatja, mosha e hershme dhe vlerësimi konjitiv i viktimës për dhunën (niveli i perceptimit të kërcënimit, parashikueshmëria dhe aftësia për të kontrolluar).

Mënyra më e mirë e përballimit të çfarëdolloj forme të ankthit është kthimi tek Allahu dhe besimi tek caktimi i Tij, ndërkohë që përpiqesh të kapërcesh frikën.

Profeti a.s ka thënë: “Çfarëdo që ti ndodhë myslimanit, qoftë lodhje, dhimbje, hidhërim, fatkeqësi apo qoftë edhe një gjemb që e shpon atë, Zoti i fal me to gabimet.” (Transmeton Bukhariu dhe Muslimi)

Ankthi

Pas përjetimit të dhunës tek viktimat fillon të mbizotërojë ndjesia e frikës dhe ankthit duke dëmtuar kështu dhe funksionimin e përgjithshëm, duke sjellë mungesë përqendrimi, pagjumësi, marrëdhënie të dobëta me njerëzit apo performancë të ulët në punë. Viktimat e dhunës gjithashtu shpesh karakterizohen nga paranoja dhe mungesa e besimit tek të tjerët. Në Amerikë, rreth 25 milion njerëz vuajnë nga çrregullimi i ankthit. Disa nga simptomat e këtij çrregullimi janë:

Ndjenja të frikës dhe panikut
Mendime obsesive dhe të pakontrolluara
Kujtime të dhimbshme
Makthe të shpeshta natës
Shqetësime fiziologjike si: dhimbje stomaku, rrahje të shpeshta zemre, tremben shpesh dhe kanë tension muskulor.
Njerëzit që janë sprovuar më shumë janë njerëzit më të dashur te Zoti siç janë profetët. Sa herë që përballemi me sprova duhet të kujtojmë historitë e profetëve të cilët në raste rreziku apo sprove nuk bëheshin viktimë e ankthit por kishin besim të plotë tek Zoti.

“Ne do t’ju sprovojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të fryteve, por ti përgëzoji të duruarit. (Bekare, 155)

“Ata që besuan dhe me të përmendur Allahun zemrat e tyre qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”(Er-Ra’d, 28)

Vetëvlerësim i ulët

Abuzimet verbale dhe emocionale ashtu si një tërmet tronditin mizorisht vetëvlerësimin e një gruaje. Ato shkatërrojnë vetëbesimin, e bëjnë të humbasë ndjenjën e sigurisë dhe respektin për veten. Çdo tërheqje vëmendjeje apo kritikë e ashpër është si një buldozer që fuqishëm asgjëson vetëvlerësimin e saj. Plagët emocionale dhe psikologjike të shkaktuara nga mallkimet, sharjet apo poshtërimet e bëjnë viktimën të paaftë të arrijë potencialet e veta apo të merret me edukimin e fëmijëve. Dëmtimet emocionale janë aq të mëdha saqë ja bëjnë të pamundur të përballet me situatën apo të kërkojë ndihmë.

Vetëvrasja

Ashtu si viktimat e një fatkeqësie natyrore që mund të ndjejnë se nuk kanë më arsye për të jetuar, ashtu dhe viktimat e dhunës në familje ndihen të dëshpëruar dhe të pashpresë, aq sa shumë prej tyre tentojnë të vetëvriten. Ndjenja e dëshpërimit dhe e dobësisë ndikon thellësisht në mirëqenien e tyre mendore dhe emocionale4. Disa nga shenjat paralajmëruese të tentativës për vetëvrasje janë:

Bisedat rreth vrasjes apo dëmtimit të vetes
Të ndjerit i paaftë apo të ndjerit i bllokuar
Preokupime të pazakonta për vdekjen
Pakujdesi në veprime sikur kanë dëshirë të vdesin (p.sh. kalojnë rrugën me semafor të kuq)
Vizita tek të afërmit për tu dhënë lamtumirën
Rregullimi i punëve (p.sh. dhurojnë pasurinë që kanë)
Shprehen si “Të gjithë do të jenë më mirë pa mua”.
Nëse mendoni se një mik apo i afërm po mendon rreth vetëvrasjes, shpreheni shqetësimin dhe kërkoni ndihmë profesionale, në këtë mënyrë mund të shpëtoni një jetë6.

Problemet dhe vështirësitë që njerëzit mund të përjetojnë në këtë botë janë të përkohshme. Ndërsa dënimi në botën tjetër për atë që kryen vetëvrasje është i përjetshëm.

“O ju që besuat, mos e përdorni pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejueshme, përveç rastit kur ajo është me pëlqim të dyanshëm dhe mos e vritni veten (dhe njëri-tjetrin)! Vërtet, Allahu është i mëshirshëm me ju”. (En-Nisa’, 29)

Pas një cunami psikologjik që mizorisht ka shkatërruar vetëvlerësimin dhe ndjenjën e sigurisë, është e nevojshme të rimblidhen forcat për të punuar masivisht për rikuperimin e dëmeve të shkaktuara. Hapi i parë është largimi i emocioneve dhe ndjenjave negative, gjë e cila kërkon investim në kohë dhe në energji. Nëse ndjeni se ndikimi i dhunës është shumë i madh dhe i papërballueshëm, kërkoni ndihmë profesionale. Hapi tjetër duhet të fokusohet tek rindërtimi i vetëvlerësimit që arrihet duke nxjerrë në pah tiparet pozitive tuajat. Për të formuar marrëdhënie të suksesshme duhet të filloni të keni besim tek vetja dhe tek të tjerët. Hapi tjetër, ndoshta më i rëndësishmi është rifitimi i shpresës për të ardhmen. Pasi zjarri i shpresës të jetë ndezur do të ndriçojë aq shumë sa do të sigurojë dhe motivimin e duhur për të kapërcyer të gjitha pengesat dhe për të ndihmuar të tjerë që kanë përjetuar të njëjtat vështirësi.

Nëse ju apo ndonjë i njohuri juaj është viktimë e abuzimit, duhet të dini se:

Nuk jeni vetëm
Ka shumë mundësi për ndihmë
Ju vleni dhe meritoni dashuri
Asnjëherë mos toleroni të abuzoheni fizikisht, verbalisht apo emocionalisht
Transmeton Ebu Ma’bad se profeti a.s ka thënë: “…ruaju nga lutja e atij që i është bërë padrejtësi sepse mes tij dhe Zotit nuk ka pengesë”. (Transmeton Bukhariu)

Nëse ju apo ndonjë i njohuri juaj është abuzuesi:

1. Kërkoni ndihmë profesionale për të menaxhuar zemërimin

2. Nuk është vonë për të ndryshuar veten dhe jetën tuaj

3. Gjeni një mënyrë për të shkarkuar stresin dhe frustrimin (sport apo ndonjë aktivitet tjetër fizik)

4. Kërkoni ndihmën e familjes dhe të miqve

5. Mbaj mend, mos abuzo!

“Ndihmoje vëllain tënd edhe kur bën padrejtësi edhe kur i bëhet padrejtësi.” Profeti a.s u pyet: “Kur i është bërë padrejtësi e dimë, por kur bën padrejtësi si ta ndihmojmë?” Ai u përgjigj: “Duke e ndaluar që të bëjë padrejtësi.” (Transmeton Bukhariu)

Profeti Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi të) na ka mësuar si të jetojmë me karakter të përsosur dhe si t’i trajtojmë gratë me dashuri, dhembshuri dhe mirëkuptim. Ai ka thënë: “Më i miri ndër ju është ai që sillet mirë me gruan e tij”.

Referenca:

http://www.womensweb.ca/violence/dv/pregnancy.php
Types of Trauma: Domestic Violence – San Francisco depression | Examiner.com http://www.examiner.com/depression-in-san-francisco/types-of-trauma-domestic-violence#ixzz1ZstUJQB9
http:/www.aardvarc.org/dv/effects.shtml
Types of Trauma: Domestic Violence – San Francisco depression | Examiner.com http://www.examiner.com/depression-in-san-francisco/types-of-trauma-domestic-violence#ixzz1Zsu4uQTE
http://www.examiner.com/depression-in-san-francisco/types-of-trauma-domestic-violence
Suicide Prevention: Signs of Suicide and How to Help a Suicidal Person.

Nga: Haleh Banani

Përktheu: Suada Hajredinaj