Daçiq ankohet në OKB për arrestimin e Gjuriqit, por kërkon vazhdimin e dialogut

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, duke folur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku po diskutohet për raportin e fundit mbi Kosovën, ka hedhur kritika të mëdha ndaj kërkesave për reduktimin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë.

“Për disa kohë, disa anëtarë të Këshillit të Sigurimit kanë bërë thirrje për reduktimin e mbledhjeve të këtij Këshilli për Kosovën, ka pasur edhe ide radikale që UNMIK u të përmbyllet. E kuptojmë që ka agjendë të ngjeshur në Këshillin e Sigurimit, mirëpo ju ftoj që të dëgjoni edhe argumentet e Serbisë për këtë punë”, deklaroi Daçiq.Argumentet e Daçiqit ishin se kinse Kosova nuk është një demokraci e re dhe shumetnike, duke ngritur kështu pikëpyetje edhe për situatën në terren, shkruan lajmi.net.

“Kosova nuk është një demokraci e re dhe as shoqëri shumëetnike, raportet ngrisin shumë çështje dhe kështu flet edhe situata në terren. A po zbatohen të drejtat e njeriut në Kosovë? A po u mundësohet që të ikurit nga Kosova të rikthehen atje, këto përgjigje nuk janë dhënë ende”, deklaroi Daçiq.Sipas tij, edhe pse me shumë sfida, dialogu është e vetmja zgjidhje për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është bërë punë, por nuk është përfunduar, është bërë një punë e madhe që nga viti 1999 dhe është bërë një punë e madhe edhe për arritjen deri tek dialogu. Edhe pse kemi pasur shumë marrëveshje të paimplementuara, ne mendojmë që dialogu është e vetmja zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë”, shtoi ai.Daçiq në Këshillin e Sigurimit u ankua edhe për arrestimin e drejtorit të ashtuquajturës zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, nga autoritetet kosovare në Mitrovicën e Veriut.

“Dialogu u ndalua sepse kishim një bastisje brutale në veriun e Mitrovicës, sa i përket arrestimit të Marko Gjuriqit, dhe po ashtu të deputetëve serb të Kosovës të cilit ishin prezent në takimin në Mitrovicën e Veriut me Gjuriqin. Ky ishte një akt provokimi i Prishtinës dhe i dha një goditje të madhe dialogut, ky është një tregues se sa mund të rrezikohet paqja në Kosovë për këto akte të papërgjegjshme”, u shpreh Daçiq.

“Arrestimi i paligjshëm i Gjuriqit, rrahja e tij dhe zvarritja në një shfaqje të orkestruar ishte një poshtërim”, tha ai.Ai po ashtu tha se Gjuriq pas një akti të tillë të Prishtinës zyrtare nuk mund të ulet në një tavolinë dialogu me Kosovën.