Daçiq vazhdon propagandën, thotë se Togo zyrtarisht e ka tërhequr njohjen e Kosovës

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, nuk ka të ndalur me propagandën kundër Kosovës.

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka thënë se Togo është vendi i 15-të i cili zyrtarisht e ka tërhequr njohjen.

Daçiq ka thënë për “Tv Pink”, se shënimi për tërheqjen e njohjes Serbia e kishte marrë më 28 qershor, në ditën e “Vidovdanit”, transmeton lajmi.net.

Daçiq citohet të ketë thënë se këtë ka dashur ta bëj publike në më herët mirëpo, ambasadorët e shteteve të QUNT-it, përmes një letre i kishin kërkuar Serbisë që të ndalojë në fushatën e tyre kundër Kosovës.

“Ne nuk donim që kjo të rezultojë se është politika jonë e bazuar në ndryshime. Ne po bëjmë punën tonë”, theksoi Daçiq, transmeton më tutje lajmi.net.

Sipas Daçiqit, qëllimi i Beogradit është që numri i vendeve që e njohin Prishtinën të bjerë nën gjysmën e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, pra nën numrin e 97 vendeve.

“Në këtë mënyrë, ne kuptojmë se ata (Kosova) nuk mund të veprojnë ashtu siç dëshirojnë, ata duhet të shkojnë në një marrëveshje, jo se ata mendojnë se çështja ka mbaruar. Por ja që nuk ka mbaruar”, theksoi Daçiq.

Sipas tij, Kosova nuk mund të jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara sepse, siç u shpreh Daçiq, Rusia do të vendosë veton ndaj Këshillit të Sigurimit, por nëse Rusia nuk bën veton, ai thotë se “ne duhet të kemi një shumicë të anëtarëve të KB në anën tonë”.

Pavarësisht kërkesës së shteteve të QUNT-it, që Serbia ta ndalojë propagandën e saj kundër Kosovës dhe luftën për tërheqje të njohjes së pavarësisë së Kosovës, Daçiq thotë se ai nuk do ta ndalë këtë aktivitet dhe do të vazhdojë të sjellë tërheqje të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Ndryshe, Togo është një vend në Afrikën Perëndimore me kryeqytet Loma dhe ka një popullsi prej 7.6 milionë.

Togo është në jug të Afrikës Perëndimore dhe ka një vijë bregdetare 56 kilometër të gjatë, ajo hyn në Gjirin e Guinesë, pjesë e Oqeanit Atlantik, dhe kufizohet në perëndim me Gana, në veri me Burkina Faso dhe në lindje me Benin.