Dashuria për Qaben

Duke bërë tavaf e pyeta veten: Si është puna e myslimanëve që tani bëjnë tavaf me frikërespekt dhe përkushtim, ndërsa sa po të dalin përçahen dhe ndahen, duke bërë secili prej tyre tavaf rreth vetes, rreth emrit dhe rreth shejtanit të tij.

A janë këto rrotullime që i përshkojnë për disa minuta, pastaj secili prej tyre shkon drejt gjendjes së situatës së tij?

A është tavafi i tyre tavaf dhe rit i vërtet fetar, apo është aktrim?!

A ka dashur Allahu me tavaf thjesht disa lëvizje të shkëputura prej sjelljeve dhe jetës… apo ka dashur që tavafi të jetë ritual fetar, i cili është sistemim dhe intensitet i komplet jetës?!

Por, ka dashur që gjithë jeta jonë të jetë tavaf rreth vullnetit të Tij për çdo gjë të vogël dhe të madhe.

Sikur arabët të ishin rrotulluar (të bënin tavaf) në politikën e tyre rreth një pike të vetme, ashtu siç po rrotullohen tani; sikur ata të ishin bashkuar, të bardhë, të kuqë dhe të zinj në praninë e një mendimi të vetëm, ashtu siç bashkohen në Qabe, kurrë nuk do të ishin poshtëruar, kurrë nuk do të ishin turpëruar dhe kurrë nuk do të ishin bërë botë e tretë, apo botë e katërt siç i shikojmë tani.

Dhe e pyeta veten i habitur: Si është e mundur, njerëz që bëjnë tavaf rreth Qabes dhe luftojnë njëri-tjetrin, vrasin njëri-tjetrin… dhe për çfarë kuptimi, atëherë bëjnë tavaf dhe për çfarë gjëje janë bashkuar!!

A kanë qenë të sinqertë (të vërtetë) kur bënë tavafin?

A kanë qenë të sinqertë (të vërtetë) kur janë bashkuar?

A kanë qenë të sinqertë (të vërtetë) kur kanë thënë: Allahu Ekber?!

Por, dynjaja tek secili prej tyre kanë qenë më e madhe (ekber).

Dhe secili prej tyre bënte tavaf rreth vetes së tij, duke bërë tesbih mendimin e vet dhe duke bërë tehlil idetë e tija.

Ka thënë të vërtetën Pejgamberi (a.s) kur ia ktheu nomadit, i cili i tha: Do të fali vetëm namazet farz pa shtuar asgjë më shumë, ai (a.s) ia ktheu: Ka shpëtuar nëse e ka thënë me sinqeritet (me të vërtetë).

Kështu që, kjo thënie akoma vazhdon të jetë e vlefshme deri në ditët e sotme për të gjithë arabët: Kanë shpëtuar nëse janë të sinqertë (të vërtetë).

Siç duket, ata deri më sot, akoma nuk janë të sinqertë (të vërtetë)!!

Nga: Dr. Mustafa Mahmud
Përktheu: Hoxhë Lavdrim Hamja