De Gea pranë rinovimit të kontratës

Portieri David De Gea nuk do të largohet nga Manchester Unitedi në fund të sezonit kur edhe i skadon kontrata.

“The Sun” bën të ditur të premten se spanjolli është në negociata me drejtuesit e klubit për rinovimin e kontratës edhe për dy vjet të tjerë.

Me rinovimin e kontratës, De Gea do të ketë edhe pagë më të madhe pas paraqitjeve të mira që i ka treguar këtë sezon. Unitedi po dëshiron ta mbajë 32-vjeçarin deri në vitin 2025, i cili do ta ketë opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër.

Marrëveshja mes palëve mund të finalizohet gjatë këtij muaji, pasi De Gea tashmë ka refuzuar të gjitha ofertat nga skuadrat e tjera.

Ai është pjesë e ekipit anglez prej vitit 2011 kur iu bashkua nga Atletico Madridi, ndërsa këtë sezon ka regjistruar 37 paraqitje në të gjitha garat.