Ballina Artikuj Deklaratë e Asociacionit për Kulturë, Edukim dhe Arsim – AKEA

Deklaratë e Asociacionit për Kulturë, Edukim dhe Arsim – AKEA

Asociacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsim – AKEA shpreh shqetësim dhe indinjatë të thellë lidhur me vendimin për dënimin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilin e konsideron të padrejtë.
UÇK-ja ishte shprehje e rezistencës së popullit të Kosovës kundër shtypjes, dhunës dhe spastrimit etnik të ushtruar nga regjimi serb. Lufta e saj ishte luftë çlirimtare për liri, dinjitet njerëzor dhe për të drejtën e popullit tonë që të jetonte i lirë në vendin e vet.
Drejtësia duhet të mbështetet në fakte dhe prova bindëse, duke respektuar plotësisht prezumimin e pafajësisë, të drejtën për një proces të rregullt dhe trajtimin e barabartë para ligjit. Ajo nuk duhet të ndikohet nga presionet politike dhe as të shndërrohet në përpjekje për ta rishkruar historinë ose për ta barazuar viktimën me agresorin.
Asnjë akuzë e pabazuar dhe asnjë vendim i padrejtë nuk mund ta njollosë luftën e drejtë dhe çlirimtare të UÇK-së, sakrificën e dëshmorëve dhe përpjekjen historike të popullit të Kosovës për liri e pavarësi.
Krerët e UÇK-së nuk mund të shpallen fajtorë mbi bazën e pretendimeve të pavërtetuara dhe në mungesë të provave bindëse. Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi paragjykime, interpretime politike apo përpjekje për ta rishkruar historinë e Kosovës.
AKEA u bën thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të gjithë miqve të Kosovës që të angazhohen për një proces të drejtë, të paanshëm, transparent dhe të mbështetur vetëm në fakte e prova.
Shprehim solidaritetin tonë të plotë me krerët e UÇK-së dhe familjet e tyre, duke besuar fuqishëm se e vërteta dhe drejtësia do të triumfojnë.
Lavdi dëshmorëve të kombit !
Nderim luftës çlirimtare të UÇK-së !
Asociacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsim – AKEA
Prishtinë, 17 shtator 2026