Delcy Rodríguez betohet si presidente e përkohshme e Venezuelës pas ndalimit të Maduros nga SHBA

Zëvendëspresidentja dhe ministrja e Naftës së Venezuelës, Delcy Rodríguez, u betua zyrtarisht si presidente e përkohshme, disa ditë pasi forcat amerikane arrestuan presidentin Nicolas Maduro gjatë një operacioni të natës.

“Betohem në emër të komandantit Hugo Chavez”, deklaroi Rodríguez para Asamblesë Kombëtare në Karakas, duke iu referuar ish-udhëheqësit të ndjerë të vendit.

Betimi i saj vjen mes raportimeve të mediave amerikane se Uashingtoni e kishte parë Rodríguez-in si një figurë të pranueshme për udhëheqje të përkohshme edhe para ndalimit të Maduro-s. Sipas New York Times, administrata Trump kishte vendosur javë më parë që ajo të merrte drejtimin, për shkak të rolit të saj si ministre e Naftës dhe gatishmërisë për bashkëpunim.

Një zyrtar i lartë amerikan citohet të ketë thënë se Rodríguez nuk shihej si zgjidhje afatgjatë, por si një figurë me të cilën mund të ndërtohej një marrëdhënie pune profesionale.

Të hënën, Rodríguez mori mbështetje në Asamblenë Kombëtare, ku djali i Maduro-s, Nicolas Maduro Guerra, i shprehu “mbështetje të pakushtëzuar”. Një ditë më parë, ajo i bëri thirrje presidentit amerikan Donald Trump për një “agjendë bashkëpunimi”.

Në deklaratat e saj, Rodríguez e përshkroi ndalimin e Maduro-s dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, si “rrëmbim” nga Shtetet e Bashkuara. Të dy u arrestuan të shtunën herët dhe u dërguan në Nju Jork, ku u paraqitën në një seancë fillestare gjyqësore për akuza lidhur me drogë dhe armë.

Pas ndalimit të Maduro-s, Gjykata e Lartë e Venezuelës urdhëroi që Rodríguez të merrte menjëherë postin e presidentes së përkohshme. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA do të ushtrojë kontroll të përkohshëm mbi Venezuelën, përfshirë edhe mundësinë e vendosjes së trupave amerikane. /mesazhi