Demarkacioni nuk procedohet në Kuvend as javën e ardhshme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka folur para gazetarëve në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se të enjten e ardhshme do të ketë seancë të re plenare, ndërsa nuk ka paralajmëruar se në rend të dite do të jetë ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi.

“Kemi marr vendim që ditën e enjte do të vazhdojmë seancën e re plenare. Kemi shumë agjenda që na kanë mbetur në rend ditë”, ka thënë Veseli, raporton lajmi.net.

Ai ka thënë se Kosova nuk guxon të vonohet me ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

“Gjatë krejt kësaj kohe, gjithmonë kam thirrur në zërin e arsyes, kemi nevojë të jemi afër partnerëve tanë SHBA-së dhe BE-së duhet të ecim përpara, të mos vonohemi, sepse historikisht kemi qenë prapa duke mos pasur shtet, tani i kemi obligimet tona sepse jemi shtet”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se është në interes të Kosovës, por edhe të fqinjëve demarkacioni, pasi sipas tij, ndikimi rus në Ballkan është duke u rritur.

“Kosova çdo ditë nga shpallja e pavarësisë është duke ecur përpara, ne e kemi obligim t’i shënojmë kufijtë tanë, mos të kthehemi në tragjeditë e kaluara, në të njëjtën kohë nuk kemi fuqi t’i ndryshojmë kufijtë. Demarkacioni duhet të kalojë sepse është interes i joni dhe në interes të fqinjëve tanë”, ka thënë Veseli.