Dënohen 509 qytetarë për mos respektim të ligjit anti-COVID-19

Policia e Kosovës është duke vazhduar me dënimin e qytetarëve që nuk po respektojnë ligjin antiCOVID-19.

Sipas të dhënave të fundit të publikuar nga Policia, në 24 orët e fundit janë dënuar 509 qytetarë.

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka kërkuar nga të gjithë qytetarët, nga institucionet dhe bizneset që të respektojnë vendimet e fundit të marra nga qeveria e vendit kundër COVID-19.

Në njoftim thuhet se “evidentimi i rasteve të reja të infektimit me virusin COVID 19, ka qenë shqetësues për qytetarët dhe institucionet në përgjithësi dhe pas masave të reja të ndërmarra nga institucionet e vendit edhe Policia e Kosovës ka rritur kapacitetet në funksion të realizimit dhe implementim të këtyre masave në bashkërendim me autoritetet kompetente”.

Ndryshe, si pasojë e rritjes së rasteve me coronavirus, Qeveria e Kosovës, ditën e mërkurë, mori vendim për ashpërsimin e masave kundër coronavirusit. Ku pas datës 20 gusht, ndalohet mbajtja e dasmave dhe ahengjeve familjare. Po ashtu edhe sektori i gastronomisë lejohet të punojë vetëm deri në ora 22:30.

Të mërkurën, Kosova shënoi rekord të rasteve me coronavirus, ku u konfirmuan 2 mijë e 110 raste.