Deri më sot, një mijë e 140 vetura të regjistruara me targa RKS në veri

Nga 1 nëntori deri më sot, 1 mijë e 140 vetura me targa ilegale të Serbisë, janë regjistruar me targa RKS.

Këtë e ka bërë të ditur për Teve1.info zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Qeveria e Kosovës më 30 tetor ka marrë vendim për zgjatjen e afatit të regjistrimit të veturave me targa targa serbe sikurse “PR”, “KM”, “PZ” e të ngjashme do të jetë deri më 1 dhjetor.

Çështja e targave ka shkaktuar një sërë krizash në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Fillimisht, më 31 korrik të vitit 2022 u ngritën barrikada për shkak të çështjes së targave dhe në nëntor të po atij viti, serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri, pasi u suspendua drejtori i policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq. Gjuriq kishte refuzuar të zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS.

Plani i Qeverisë së Kosovës i tetorit të vitit të kaluar parashihte që nga 21 prilli i vitit 2023 të lejohej vetëm qarkullimi i makinave me targa RKS.

Më 23 nëntor 2022, në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për targat që lëshohen nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovë.

Sipas marrëveshjes, Serbia pranoi që të mos lëshonte më targa të reja dhe Kosova hoqi dorë nga ndëshkimet që parashihte plani për riregjistrimin e makinave.