Dëshmitarët rrëfejnë tmerrin e mbrëmshëm (Video)

Gjithçka filloi nga kjo pikë, këtu supozohet të ketë humbur kontrollin autobusi i cili u përmbys mbrëmë, duke kaluar këto barikada, korsinë tjetër të autostradës. Aksidenti i cili mori 14 jetë dhe la të lënduar 39 udhëtarë të tjerë sot duket kështu. Xhama të thyera gjithandej, karrige që janë shkëputur dhe kanë përfunduar jashtë automjetit, rrotat e shkëputura nga autobusi që tashmë ndodheshin disa metra larg tij, gjësende që u përkisnin udhëtarëve janë të shpërndara në një sipërfaqe të gjerë. Të bërtitura, erë benzini, njerëz me lëndime shumë të rënda, frikë se mos do të shpërthejë autobusi, pamje e tmerrshme. Kështu e përshkruajnë dëshmitarët situatën e mbrëmshme. Njëri nga dëshmitarët që e ka parë edhe momentin e rënies së autobusit nga autostrada rrëfen se si i kanë nxjerrë udhëtarët nga autobusi i përmbysur, duke e përshkruar me lot në sy këtë si pamjen më të tmerrshme që ka parë në jetën e tij. Autobusi i rrokullisur pas disa orëve hetime, u largua me vinç nga vendi i ngjarjes. Duke lënë prapa vetes historinë më të hidhur për popullatën, histori kjo e shënuar edhe me jetë të humbura.