Dëshmorët nuk vdesin!

Ku është Mentori?
Pyeti për vëllanë e vet 14-vjeçar Ylfete Humolli, pasi, duke protestuar, u qëllua për vdekje nga policia serbe, pa i mbushur ende 17 vjet.

Ishte viti 1990, Ylfetja në shkollë të mesme, nxënëse e dalluar, projekt-intelektuale, që lexonte shumë libra dhe në fletoret e saj shënonte fjalë të urta dhe të parafrazuara prej saj.
Po, Mentori, ku ishte, vallë?!
Atë ditë edhe ai ishte në protestë me të motrën, për kujtim e për dashuri ndaj së cilës (që e donte dhe i shkonte mësimi, studimi e shkrimi), kur të rritej e kur të bëhej burrë, nga xhepi i vet Mentori do të jepte bursa të rregullta për studentë.
Ku ishte, u mor vesh, po ku është sot ai?
Është, me caktimin e Zotit, në Xhenet, më së larti, atje ku lumërojnë dëshmorët. Mentori ka rënë dëshmor si ushtar i UÇK-së duke thyer kufirin shqiptar-shqiptar në Koshare vitin 1999.
Janë motër e vëlla. Koha kur bie dëshmor Ylfetja karakterizohet nga gjallëria e lëvizjes së Ibrahim Rugovës, ndërsa koha kur bie dëshmor Mentori karakterizohet nga gjallëria e lëvizjes së Adem Jasharit. Sot, pasuesit e këtyre lëvizjeve janë me shumë gjymtime dhe në nevojë të madhe për t’u këndellur kombëtarisht.
“Mos më zgjo nga gjumi kur të vijë pranvera…!”, e thotë poezia-kënga që i kushtohet Ylfetes dhe unë nuk e di nëse këto fjalë janë nxjerrë nga fletorja e saj, gjë që është me shumë gjasa, apo vetëm i janë kushtuar.
Ku është Ylfetja, Mentori… dhe pse janë atje?!

Nga Prof. Ilmi Rexhepi