Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Dhjetë komuna holandeze gjobiten për shkelje të privatësisë së qytetarëve myslimanë

Dhjetë komuna holandeze gjobiten për shkelje të privatësisë së qytetarëve myslimanë

Autoriteti Holandez për Mbrojtjen e të Dhënave (AP) ka gjobitur dhjetë komuna në Holandë me gjithsej 250 mijë euro për shkelje të ligjeve të privatësisë, pasi kanë kryer hetime të fshehta mbi komunitetet myslimane pa dijeninë e tyre.

Sipas mediave holandeze, komunat kishin porositur studime sekrete dhe kishin përpunuar dosje që përmbanin informacione të ndjeshme për banorët myslimanë. Ky fakt u bë publik për herë të parë në vitin 2021.

Hetimet lidhen me frikën nga radikalizimi, në kontekstin e rritjes së grupit Daesh dhe luftës në Siri. Pas thirrjeve nga qeveria holandeze dhe agjencia kundër terrorizmit NCTV për të parandaluar radikalizimin dhe udhëtimet drejt Sirisë, dhjetë komuna angazhuan një kompani private për të mbledhur të dhëna mbi komunitetet myslimane lokale.

Raportet përfshinin informacione mbi strukturat e xhamive, figura kyçe në komunitet dhe bindjet fetare të individëve, përfshirë përkatësinë e tyre brenda Islamit. Në disa raste, ishin mbledhur edhe emra, fotografi, të dhëna familjare dhe detaje mbi marrëdhëniet e brendshme në xhami.

Disa nga këto raporte thuhet se janë ndarë edhe me policinë, agjencinë kundër terrorizmit dhe Ministrinë e Çështjeve Sociale dhe Punësimit.

Kryetari i Autoritetit për Mbrojtjen e të Dhënave, Aleid Wolfsen, tha se komunat nuk kishin asnjë bazë ligjore për posedimin e këtyre informacioneve. “Privatësia e personave të prekur është shkelur rëndë dhe kjo ka dëmtuar besimin e qytetarëve ndaj komunave,” u shpreh ai.

Komunat e gjobitura janë: Delft, Ede, Eindhoven, Haarlemmermeer, Hilversum, Huizen, Gooise Meren, Tilburg, Veenendaal dhe Zoetermeer.

Autoriteti holandez tha se shkeljet janë të rënda pasi lidhen me të dhëna fetare, të cilat konsiderohen shumë të ndjeshme. Komunat kanë pranuar gjobat, ndërsa qyteti i Delftit ka kërkuar zyrtarisht falje ndaj komuniteteve myslimane lokale, përfshirë edhe Xhaminë Al-Ansaar, për hulumtimet e fshehta. /mesazhi