1 – Kujdesuni vazhdimisht për fëmijët tuaj me rukje dhe lutje, sepse Allahu është Ai që na edukon neve dhe i edukon ata. Lërini në amanet te Allahu, i Cili nuk i humb amanetet e Tij.
2 – Mësojuani Kuranin dhe Kurani do t’i mësojë ata çdo të mirë. Zbukurojini me Sunetin dhe jetën e Profetit (a.s) si shembull, dhe forcojini me bazat e dijes dhe shkallët e të nxënit.
3 – Pajisini me iman, moral dhe vlera, si dhe me mendësi inovacioni, iniciative, investimi, efektiviteti dhe produktiviteti. Zhvilloni tek ata llojet e inteligjencës: gjuhësore, shkencore, emocionale dhe komunikuese. Furnizojini me aftësi, mjete, udhëzues dhe teknika, dhe mësojini si të mësojnë.
4 – Bëhuni shembull për ta; sepse fëmijët dëgjojnë me sytë dhe zemrat e tyre para se të dëgjojnë me veshët.
5 – Mësojini si të jetojnë me dashuri dhe si ta shprehin dashurinë.
6 – Dëgjoni rrahjet e zemrave të tyre, shqetësimet e shpirtrave të tyre dhe pyetjet e mendjeve të tyre. Vëzhgoni shenjat e trupave të tyre, drejtimet e prirjeve dhe rrjetin e marrëdhënieve të tyre.
7 – Dëgjoni me vëmendje këngët, rrëfimet, lajmet, shakatë dhe madje edhe llafazanërinë e tyre. Dëgjoni me dashuri, kujdes dhe nxitje krijuese.
8 – Bëhuni të durueshëm, nxisni durimin dhe ushtroni durim për t’i përfshirë e për t’i mësuar të mirën, si dhe për t’i stërvitur në dashurinë për përgjegjësinë dhe për dallim.
9 – Ndërtoni për ta një rrjet “iman, siguri dhe zhvillim” në (shtëpi, xhami, shkollë, mejtep, klub, skautizëm, sipërmarrje sociale dhe sipërmarrje biznesi).
10 – Ledhatoni fëmijët tuaj me dashuri të madhe, bujari dhe udhëzim cilësor që t’i përmirësoni brenda hallallit. Mos i llastoni duke toleruar haramin, e as mos e teproni në mbrojtjen e tyre sa t’u humbisni vetëbesimin dhe mbështetjen tek Zoti i tyre. Mos u tregoni të ashpër me pretekstin “të forcohen”, sepse jeta është mjaftueshëm e ashpër për t’i edukuar dhe disiplinuar. Bëhuni mbështetje për ta përballë jetës, jo mbështetje për jetën kundër tyre. Bëhuni përqafimi dhe mburoja e tyre.
“Zoti im, më bëj prej atyre që e falin namazin, mua dhe pasardhësit e mi. Zoti ynë, pranoje lutjen time.”
Autor: Ahmed Mahmud Amureh
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com







