Islami e ndalon mashtrimin dhe gënjeshtrën në çdo formë të saj, në çdo shitblerje dhe në të gjitha llojet e marrëdhënieve njerëzore. Muslimani është i obliguar të përmbahet nga e vërteta në të gjitha çështjet e tij, dhe këshilla në fe është më e vlefshme se çdo fitim i kësaj bote.
I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Shitësi dhe blerësi kanë të drejtë zgjedhjeje përderisa nuk ndahen; nëse janë të sinqertë dhe e sqarojnë (mallin), u jepet bereqet në shitblerjen e tyre, e nëse gënjejnë dhe fshehin, u zhduket bereqeti i shitblerjes së tyre.” Dhe ka thënë: “Nuk i lejohet askujt të shesë diçka pa e sqaruar atë që ka në të, dhe nuk i lejohet atij që e di këtë pa e sqaruar.”
I Dërguari i Allahut (a.s) kaloi pranë një njeriu që shiste ushqim (drithëra) dhe i pëlqeu, kështu ai futi dorën në të dhe gjeti lagështi. Ai tha: “Çfarë është kjo, o pronar i ushqimit?” Ai tha: “E ka zënë shiu.” Profeti (a.s) tha: “Pse nuk e vendose sipër që ta shihnin njerëzit? Kush na mashtron nuk është prej nesh.”
Në një transmetim tjetër thuhet: Ai kaloi pranë një ushqimi që pronari e kishte zbukuruar, pastaj futi dorën në të dhe gjeti ushqim të prishur, dhe tha: “Shite këtë veçmas dhe këtë veçmas; kush na mashtron nuk është prej nesh.”
Kështu vepronin edhe të parët e muslimanëve: ata e tregonin çdo të metë të mallit dhe nuk e fshihnin atë, ishin të sinqertë dhe nuk gënjenin, këshillonin dhe nuk mashtronin.
Ibn Sirini shiti një dele dhe i tha blerësit: “Ajo ka një të metë: ajo e kthen ushqimin me këmbën e saj.”
Hasan ibn Salih shiti një robëreshë dhe i tha blerësit: “Ajo ngadonjëherë te ne ka pështyrë gjak.” Në fakt ajo vetëm një herë kishte pështyrë gjak, por megjithatë ndërgjegjja e tij besimtare nuk e lejoi ta fshihte, edhe pse kjo ndikonte në uljen e çmimit.
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com








