A janë kushtet politike formësuese të kulturës se një shoqërie, apo situata politike është derivat i natyrshem i dal nga kultura e një shoqërie?
Faktori i brendshëm është baza e interpretimit të fenomeneve njerëzore, sepse Zoti i Madhëruar i dha njeriut fuqi, në menyrë që askush të mos ketë autoritet mbi të, përveç nëse ai vetë heq dorë nga fuqia e tij dhe pranon skllavërimin dhe përbuzjen.
Askush nuk mund të përdorë për kalërim shpinën tënde, përveç nëse e gjen të përkulur, thotë Martin Luther Kingu.
Libri i ynë i shenjtë e thellon këtë koncept edhe më tutje, duke nënvizuar rolin e faktorit të brendshëm në gjitha problemet që mund t’i ndodhin një shoqërie njerëzore.
Në njerën nga betejat e muslimanëve të parë e ashtuqujtura “Beteja e Uhudut”, Zoti i Madhërishem tregon arsyen reale të goditjes qe moren muslimanët në këtë ballafaqim”Thuaj kjo është nga vetët tuaja”, madje edhe vet djalli si simbol i gjithë të keqës në ekzistencë nuk mund të mashtroj askënd, vetëm atëherë kur kapacitete e brendshme nuk funksionojnë dhe me këtë rast njeriu bëhet gjah i djallit, në Kuran citohen fjalët e tij ”Unë nuk kisha kurfar pushteti mbi ju, përveç që ju ftova dhe ju m’u përgjigjet”.
Edhe realiteti i drejtësisë hyjnore e kërkon qe njerëzit të mos ndeshkohen nga një armik i jashtëm, nëse nuk shkaktojnë çekuilibër të brendshëm dhe si të tillë i mundësojnë armikut dominimin mbi ta.
Këto nuk janë vetëm kuptime fetare abstrakte, por janë përmbledhje e të gjitha ligjeve sociale historike qe gjykojnë lëvizjet e njeriut, shoqërisë, historisë dhe civilizimeve.
Shoqëritë e mobilizuara e të fortifikuara me vetëdije lartë kulturore, shfuqizojnë gjithherë komplotet e jashtme.
Të gjitha analizat e ngjarjeve dhe kombinimeve politike qe i bëjmë sot duke injoruar në tërësi përbërësit shoqërorë dhe kulturorë qe i rrethojnë këto ngjarje politike, janë të ngjashme me urdhrin e mjekut për të dhënë vetëm barin që ulë temperaturën pa e dhënë ilaçin kundër virusit që është aktiv në fshehtësi.
Fundja politikanët e korruptuar mund t’i ndëshkojmë edhe me një votë të lirë demokratike, por çfarë do bëjmë me këtë nivel kulturorë e social të shoqërisë tonë, e cila mund të lejojë të posa votuarit e rinj të korruptohen përsëri.
Halil Avdulli