Dikur bullgarët blinin në Edirne, tani çojnë ndihma për viktimat e tërmetit

Shumë bullgarë kanë udhëtuar gjithmonë drejt qytetit kufitar turk të Edirnesë për të bërë pazaret e tyre, ndërkohë që tani po dërgojnë ushqime dhe rroba për viktimat e tërmeteve në Turqinë Jugore.

Tri ditë më parë, qeveria rajonale në Edirne njoftoi një fushatë për të mbledhur ndihma për viktimat e tërmetit.

Të parët që iu përgjigjën asaj ishin qytetarë nga Bullgaria fqinje.

Donacionet po mblidhen në sallën sportive ”Mimar Sinan” në qytet.

Donacionet janë kryesisht batanije, veshje, ushqime dhe produkte sanitare.

Ato mblidhen dhe shpërndahen nga Departamenti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të rrethit.

“Një fjalë e urtë vendase thotë se një fqinji ka nevojë për një fqinj, qoftë edhe për gjërat më të vogla. Ne e kemi bërë këtë dhe duam të tregojmë se dhimbja e viktimave është edhe dhimbja jonë, se duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin. Jam i sigurt se fqinjët tanë nga Turqia do të bënin të njëjtën gjë në një situatë identike”, tha Melahati nga qyteti i Karxhalit.

Ajo mbërriti në Edirne të premten me bashkëshortin dhe djalin 18-vjeçar.

Autoritetet e Edirnesë thonë se donacionet që kanë marrë deri tani nga Bullgaria falë një fushate të përbashkët të Ambasadës Turke në Sofje dhe Lëvizjes për të Drejta dhe Liri, përfshijnë 14 688 batanije, dy gjeneratorë të energjisë elektrike, 77 ngrohës, 119 tonë ushqime dhe 51 tonë veshje.

Në llogarinë bankare të shpallur nga Ambasada Turke në Sofje për mbledhjen e donacioneve janë grumbulluar 440 000 euro nga biznese, organizata të ndryshme dhe qytetarë në Bullgari.