Dimri i ashpër në Rripin e Gazës po përkeqëson ndjeshëm vuajtjet e civilëve pas më shumë se dy vitesh lufte izraelite, ka paralajmëruar Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA).
Kreu i UNRWA-së, Philippe Lazzarini, tha se reshjet e dendura të shiut dhe i ftohti po e rëndojnë edhe më tej situatën humanitare. Ai theksoi se palestinezët në Gaza po mbijetojnë në tenda të dobëta e të përmbytura me ujë, mes rrënojave, ndërsa ndihmat humanitare nuk lejohen të hyjnë në përmasat e nevojshme.
Sipas tij, UNRWA do të ishte në gjendje të rrisë ndihmën menjëherë nëse hyrja e ndihmave do të lejohej pa pengesa.
Ndërkohë, qeveria palestineze bëri të ditur se Gaza ka nevojë urgjente për rreth 200 mijë njësi banimi të përkohshme për të strehuar personat e zhvendosur, pasi kushtet e rënda atmosferike kanë përmbytur dhe shkatërruar mijëra tenda në të gjithë enklavën.
Që nga e shtuna, Gaza është përfshirë nga një valë e ftohtë polare, e treta këtë dimër, e shoqëruar me reshje të mëdha shiu dhe erëra të forta. Depresionet e mëparshme atmosferike kanë shkaktuar vdekjen e 17 palestinezëve, përfshirë katër fëmijë, si pasojë e shembjes së ndërtesave të dëmtuara dhe përmbytjes së kampeve të zhvendosurve.
Sipas të dhënave, që nga tetori 2023, ushtria izraelite ka vrarë mbi 71,200 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur më shumë se 171,200 të tjerë, duke e lënë Gazën të shkatërruar pothuajse plotësisht. /mesazhi








