Distria Krasniqi, zgjidhet xhudistja më e mirë në botë për vitin 2021

Xhudistja nga Kosova, Distria Krasniqi ka fituar çmimin e më të mirës në botë në sportin e xhudos për vitin 2021.

Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) ka filluar ndarjen e çmimeve për më të mirët për vitin 2021 (‘Judo Awards 2021’) pasi tashmë është mbyllur votimi.

Nga votimi i filluar më 10 dhjetor e që zgjati deri më sot (18 dhjetor), të nominuarit nga Kosova u zgjodhën më të mirët në kategoritë e tyre.

Fillimisht Driton Kuka u zgjodh trajneri më i mirë në botë për vitin 2021 në xhudo, ndërsa pas tij edhe Distria Krasniqi fitoi shumicën e votave në garën për xhudisten më të mirë në botë.

Kështu, xhudistja pejane, Distria Krasniqi zgjidhet xhudistja më e mirë në botë për vitin 2021, shkruan Telegrafi.

Distria Krasniqi në këtë garë arriti të mposht emra si Clarisse Agbegnenou, Abe Uta, Anna Maria Wagner dhe Jessica Klimkait.

Ndryshe, Distria ishte e jashtëzakonshme këtë vit duke fituar medaljen e artë olimpike, ndërsa të artën e fitoi edhe xhudistja tjetër, Nora Gjakova