Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Dita e dytë e protestave masive kundër masave anti-COVID në Gjermani! Arrestohen...

Dita e dytë e protestave masive kundër masave anti-COVID në Gjermani! Arrestohen 80 persona

Mijëra njerëz dolën në rrugët e Berlinit për të dytën ditë rradhazi për të protestuar kundër vaksinimeve dhe masave për të shmangur përhapjen e pandemisë COVID-19 në mes të valës së katërt të pandemisë.

Duke bërtitur “duart larg nga fëmijët tanë”, protestuesit denoncuan atë që ata e quajnë “aparteidi i vaksinës”, duke shprehur kështu kundërshtimin e tyre për disa lande të Gjermanisë po shqyrtojnë vendosjen e kufizimeve më të rrepta për qytetarët e pavaksinuar dhe vaksinimin e fëmijëve duke filluar nga mosha 12 vjeç.

Policia e Berlinit në një mesazh të publikuar në “Twitter” ka njoftuar se rreth 80 protestues ishin arrestuar, kryesisht individë “të dhunshëm ose që u bënin thirrje të tjerëve të thyejnë kufizimet”. Më shumë se 100 persona u arrestuan në një protestë të ngjashme ditën e djeshme, ndërkohë që ata përpiqeshin të kalonin postblloqet dhe t’i afroheshin Bundestag-ut në Berlinin qendror.

Rreth 60% e gjermanëve janë vaksinuar plotësisht, por infeksionet po rriten përsëri me shpejtësi dhe zyrtarët po kërkojnë mënyra për të inkurajuar më shumë njerëz që të mbrohen nga varianti i ri i koronavirusit. Sot, për të hyrë në ambjentet e brendshme të restoranteve, për të vizituar spitalet dhe shtëpitë e të moshuarve ose për të marrë pjesë në ngjarje të e kulturore dhe sportive, duhet që një individ të ketë një test negativ ose certifikatë vaksine.

Qeveria e landit të Baden-Württemberg ka propozuar që qytetarëve të pavaksinuar t’u ndalohet plotësisht hyrja në restorante dhe koncerte, dhe që kontaktet e tyre të kufizohen.

“Nëse njësitë e kujdesit intensiv preken, ne duhet të veprojmë. Do të ishte e gabuar të kërkosh llogari nga të gjithë, përfshirë ata që janë vaksinuar. Kjo është arsyeja pse do të ketë rregulla të ndryshme për të pavaksinuarit”- ka thënë Thomas Stroble, zëvendëskryeministër për qeverinë lokale, duke folur për “Bild am Sonntag.” /tiranapost