Dita e parë e shkollës – Këshillë dhe reflektim

Nesër, me lejen e Allahut të Madhëruar, fëmijët tanë, apo një pjesë e tyre, u drejtohen institucioneve të informimit dhe formimit shkencor.

Nuk ka dyshim se ky lloj informimi dhe formimi është një element shumë i rëndësishëm, madje shumë i nevojshëm për njeriun bashkëkohorë. Mirëpo duke pasur parasysh se struktura arsimore e përgjithshme, vendore dhe globale, është e formësuar në atë mënyrë që të formojë dhe formësojë njeriun e synuar nga vetë filozofia e këtij civilizimi, pjesë e të cilit jemi dhe ne, pra njeriun kapitalist-materialist, mekanizëm dhe robot në shërbim të mikro dhe makroindustrisë, duam apo s’duam, dmth: duke pasur parasysh se Zoti, si koncept, jo e jo që nuk mësohet e kuptohet por edhe vetë njeriu nuk ekziston kurrkund në përbërjen e kurrikulave përbërëse të këtij elementi, pra të arsimimit si makromekanizëm prodhues i njeriut-robot, rob të material-kapitalizmit, duke pasur parasysh të gjithë këtë fakt, del për detyrë madhore karshi brezit tonë, kam parasysh ne si besimtarë, të orientojmë fëmijët tanë, brezin pasues, për atë se ç’vend zë kjo dije në prioritetet e tij si njeri dhe rob i Zotit, dhe se cili është mekanizmi real që i jep kuptim këtij lloj formimi, dhe cila është mënyra e vërtetë që i mundëson fëmijëve tanë të përfitojnë maksimalisht nga ky lloj formimi por njëkohësisht edhe të evitojnë plotësisht apo pjesën më të madhe të efekteve shkatërrimtare që ka ky lloj formimi.

E kam fjalën:

Është e rëndësishme për brezin tonë t’u flasim drejtpërdrejtë fëmijëve tanë për nijetin e vërtetë të dijes. Dhe se qëllimi substancial i dijes nuk është korrja e bukës e as prestigji e fama, por dija duhet parë, mësuar e kuptuar në rradhë të parë si mekanizëm i njohjes së të vërtetës madhore, Allahut, Zotit të të gjithë botërave, dhe si mekanizmin kryesor dhe jetik për tu ngritur në gradat më të larta të të qënurit rob i Allahut, dhe si i tillë shumë shpejt do të qëndrojë para Allahut dhe do shpërblehet për punët që ka bërë në dynja.

Është domosdoshmëri madhore për brezin tonë t’u flasim fëmijëve tanë se shkenca është një domosdoshmëri e madhe dhe shumë e vlefshme por me një kusht të domosdoshëm, vetëm nëse është e mishëruar me imanin në Allah dhe në takimin me Të, ditën e kijametit. Në të kundërt produktet e shkencës janë një shkatërrim shumë i tmerrshëm për njerëzinë…

Le të mos ngurrojmë, të dashur e të nderuar vëllezër dhe motra, t’u tregojmë fëmijëve tanë, zemrave tona dhe dritave të syve tanë, se ç’bëri shkenca në Japoni, se ç’po bën shkenca në Afrikë, se ç’po bën shkenca edhe në perëndim e në lindje.

Mos ngurroni t’u tregoni fëmijëve se çfarë ka bërë shkenca në Afganistan, Irak e Siri, e çfarë po bën momentalisht në Turkistanin lindor.

Po, e drejtë, nuk e ka fajin aspak shkenca. Por e ka fajin dora e mallkuar që e ka përdorur dhe e përdor atë, dorë e mbrujtur vetëm me shkencë e pa iman.

Le ti vetëdijësojmë fëmijët tanë se krenaria e tyre nuk duhet të burojë nga dhjeta dhe inferiteti i tyre nga katra (notat). Por nga nijeti me të cilin e mësojnë atë dije apo informacion derisa të shndërrohet në dije…

Le t’u themi pa hezitim se të parët e tyre, imani dhe feja jo vetëm se nuk i pengoi nga shkenca por përkundrazi ishte pikërisht imani dhe feja ajo që i bëri shkencëtarë të mëdhenj në çdo fushë, aq sa ngritën një civilizim madhor që nuk e kishte parë bota dhe se e veçanta e këtij civilizimi ishte se në qendër të tij kishte njeriun, pra njeriu në këtë civilizim ishte qëllim dhe jo mjet, dhe se produktet e këtij civilizimi ishin mjete në shërbim të njeriut dhe jo njeriu mjet në shërbim të produkteve të civilizimit.

Le t’ua theksojmë pa hezitim thënien e të parëve tanë të mençur se besimi pa shkencë është i çalë dhe se shkenca pa besimin është e verbër.

Le t’u themi fëmijëve tanë se një nga çështjet për të cilat do të pyeten ditën e kijametit është dija, se çfarë ka punuar me të, dmth se sa e ka përdorur këtë lloj dije për tu afruar me Allahun e Madh.

Le tu themi fëmijëve tanë se mësuesi apo mësuesja duhet respektuar si nëna apo babai sepse ai ka një rol të veçantë në formimin e tij dhe të ardhmes së tij, dhe jo sepse mësuesi apo mësuesja ka në dorë dhjetën apo katrën (notat) e tij.

Dhe le tu themi fëmijëve tanë se nëse përballen me ata mësues dhe mësuese që akoma nuk e kanë kuptuar misionin e tyre të vërtetë, le të jenë të mëshirshëm me ta apo me to, se mbase kjo mëshirë ua çel sytë edhe atyre për faktin se ajo që u jep atyre me të drejtë emrin mësues nuk është dhjeta apo katra, por roli dhe misioni i tyre i cili thuajse i afrohet misionit të profetëve. E nëse sërish ndonjë mësues apo mësuese këmbëngul në marrjen e statusit nga dhjeta apo katra, atëherë le të durojnë për hir të emrit që kanë, mësues.

Le t’u themi fëmijëve tanë se jo në pak raste, nga mësuesit e tyre apo drejtuesit e institucioneve ku fëmijët tanë po shkojnë të formohen, do të dëgjojnë fjalë që nuk janë në simetri me statusin e tyre, madje mund të dëgjojnë edhe fjalë të pasinqerta, megjithatë ata sërish mbeten mësues.

Le ti themi fëmijëve tanë se gabimi duhet pranuar, dhe se pranimi i gabimit jo vetëm që nuk e cenon burrërinë dhe krenarinë por përkundrazi e lartëson edhe më shumë.

Le t’u themi fëmijëve tanë të jenë të sinqertë dhe besnikë me shokët e tyre dhe se gënjeshtra dhe cinizmi nuk janë cilësi e besimtarit, robit të Allahut.

Le t’u themi fëmijëve tanë se shoku i mirë është sinonim i vëllait dhe se sinqeriteti, besa, këshilla e mirë, gjindshmëria, përkrahja në nevojë, dhe maturia gjatë komunikimit me të, janë vlera të domosdoshme për të fituar shokë dhe vëllezër të vërtetë.

Le t’u themi fëmijëve tanë se objektin ku ata mësojnë duhet ta trajtojnë si shtëpinë e vetë, madje dhe më mirë. Dhe se forma më e mirë e kësaj sjelljeje është shembulli i mirë.

Le ti këshillojmë fëmijët tanë të mos bëhen koshë plehrash, dmth të mos merren me të metat e shokëve të tyre, por të këshillojnë në formën më të mirë ose të merren me veten e tyre sepse orët e mësimit ikin shumë shpejt.

Le ti këshillojmë fëmijët tanë të luten dhe bëjnë dua për mësuesit e tyre sepse e meritojnë si ata që e meritojnë emrin mësues dhe ata që e kanë marrë nga zanati i mësuesit.

Le t’ua kujtojmë fëmijëve tanë se ëndrrat e së djeshmes janë realitet i të sotshmes dhe se ëndrrat e të sotshmes janë realitet i së nesërmes.

Së fundmi të dashur dhe të nderuar vëllezër dhe motra le ti kujtojmë dhe le ti themi vetes se nijeti jonë, si prindër, me të cilin i përcjellim fëmijët tanë për në shkollë ka një rol vendimtar në lidhje ne atë se kush do jenë fëmijët tanë nesër: profesionistë të mirë e me famë apo rob të Allahut që me iman dhe me dije e shkencë lulëzojnë dynjanë dhe fitojnë ahiretin, xhenetin?!

Po ashtu le ti kujtojmë vetes tonë se e ardhmja e fesë tonë, e këtij populli dhe këtij vendi, varet drejtpërdrejtë nga mënyra se si po dhe do i edukojmë fëmijët tanë, pra brezin e ardhshëm dhe të së ardhmes.

Siç duhet ti kujtojmë vazhdimisht vetes se duaja e prindërve për fëmijët është e pakthyeshme, pra e pranuar.

Allahu i bekoftë fëmijët tanë dhe të gjithë prindërit dhe mësuesit që kontribuojnë bashkërisht për edukimin e brezit të ri me iman dhe me dije e me shkencë.

Allahumme Amin Amin Amin