Ballina Artikuj Suneti në lëminë e thirrjes islame dhe udhëzimit

Suneti në lëminë e thirrjes islame dhe udhëzimit

Shejh Jusuf Kardavi (r.a)

Suneti Profetik – pas Kuranit Fisnik – është burimi që nuk shteron dhe thesari që nuk pakësohet. Prej tij përfiton ai që është edukator, udhëheqës dhe thirrës në përgatitjen e hytbeve, vazave, ligjëratave dhe edukimin e njerëzve. Suneti i Profetit është burimi për të cilin kanë rënë dakord të gjithë për këdo që dëshiron të orientojë për tek sjellja e mirë dhe të pastrojë zemrat, ashtu sikurse është burimi i legjitimit të dispozitave fetare dhe të drejtës islame në çështjet e adhurimeve dhe transaksioneve.

Të gjithë ekspertët që merren me studimin e sjelljeve të njeriut, edukatorët shpirtërorë, paraardhësit e shejhëve të misticizmit dhe dijetarët e respektuar të Umetit kanë rënë dakord se për atë që ndjek dhe pason rrugën që të shpie për tek Allahu duhet domosdoshmërisht të veprojë në përputhje me Sunetin në idenë, adhurimin dhe sjelljet e tij me Allahun, me veten dhe me njerëzit.

Imam El Xhunejdi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: [Të gjitha rrugët janë të bllokuara përveç atij që ndjek gjurmët e të Dërguarit të Allahut (a.s)]

Gjithashtu ai ka thënë: [Kush nuk e di përmendësh Kuranin dhe nuk shkruan rreth hadithit, nuk merret si model sepse dija jonë është e përkufizuar vetëm me Kuranin dhe Sunetin.]

Imam Ebu Hafsi ka thënë: [Kush nuk i peshon veprat dhe situatat në çdo kohë me Kuranin dhe Sunetin dhe nuk i parandalon tekat, atëherë mos të kthehet më në odën e burrave. Pasi nuk konsiderohet prej tyre.]

Ebu Sulejman Darani ka thënë: [Ngadonjëherë më vjen ndërmend ndonjë urtësi që e kam dëgjuar nga njerëzit. Mirëpo që unë ta pranoj këto urtësi kam nevojë për dy dëshmitarë: Kuranin dhe Sunetin.]

Ahmed ibn ebul Havari ka thënë: [Kush bën një punë, duke mos ndjekur Sunetin e Profetit (a.s), atëherë ajo punë konsiderohet e pavlefshme.][1]

Duke u nisur nga kjo – që e përmendëm më sipër – themi se edukatorët dhe thirrësit kanë shumë nevojë për Sunetin, ashtu siç kanë nevojë edhe jursitët.

Sepse në Sunetin e Profetit (a.s) ne gjejmë orientime të ndritshme, argumente bindëse, urtësi të shkëlqyera, predikime motivuese, fjalë gjithëpërfshirëse, shembuj domethënëse, tregime kuptimplote, larmi urdhëresash dhe ndalesash, premtimesh dhe kërcënimesh, motivimesh e frenime nëpërmjet të cilave zemrat e ashpra zbuten, vendosmëritë e shuara gjallërohen e mendjet e shkujdesura zgjohen. Suneti ecën në të njëjtën linjë me Kuranin kur i drejtohet tërë qënies njerëzore: mendjes, zemrës dhe ndërgjegjes së tij. Ai merret me formimin e personalitetit të muslimanit të kompletuar; inteligjent, me zemër të pastër, vendosmëri të hekurt dhe trup të fortë.

Në librat e Sunetit gjendet një thesar i madh për thirrësin fatlum, edukatorin e suksesshëm dhe udhëheqësin e drejtë. Prej tij ai – thirrësi, edukatori, udhëheqësi – merr furnizimin e tij, mbush trajsen e tij dhe nëpërmjet tij – bashkë me njohuritë e tij për Kuranin – korren prodhimet bazike për thirrjen dhe orientimin.

Gjëja e parë që thirrësi duhet të bëjë dhe të shuajë etjen është mbështetja tek librat e Sunetit[2]; dy librat e saktë të Sunetit që janë Buhariu dhe Muslimi, dy libra për të cilat i gjithë Umeti i ka pranuar si të saktë. Numri i haditheve të kritikuara – tek këto dy libra – numërohet me gishta. Madje, në shumicën e rasteve edhe kritika ndaj atyre haditheve më shumë ka qenë formale dhe artistike.

Më pas ai duhet të zgjedhë libra të tjerë të Sunetit, si për shembull nga katër librat e tjerë që janë: Suneni i Ebu Daudit, Tirmidhiut, Nesaiut, Ibn Maxheh si dhe libra të tjerë të Sunetit që janë: Mu’ueta e imam Malikut, Musnedi i imam Ahmedit, Sunen Ed Darimij, Sahihu Ibn Huzejmeh, Sahihu Ibn Hiban, Mustedrekun e Hakimit, dy musnedet e Ebu Ja’las dhe Bezarit, Meaxhimët e Tabaranit, Shuabul Iman të Bejhakiut dhe libra të tjerë për të cilët Hafizët e hadithit dhe kritikët i kanë vlerësuar si Sahih – të sakta – apo Hasen – të mira-. Thirrësi nuk duhet të mbështetet tek hadithet shumë të dobëta, munker apo të trilluara, që për fat të keq janë bërë kapitali i shumë prej imam – hatibëve dhe udhëheqësve fetarë.

Prej mirësive që na ka dhënë Allahu i Lartësuar është fakti se një sërë librash kryesorë të Sunetit u është dhënë përkujdesi i duhur dhe janë verifikuar. Mu’ueta e imam Malikut, Sahihu Muslimit dhe Sunen Ibn Maxheh janë verifikuar, pikëzuar dhe indeksuar nga punimi i shërbëtorit të Sunetit Muhamed Fuad Abul Baki (Allahu e mëshiroftë). Po ashtu Suneni i Ebu Daudit dhe Suneni i Tirmidhiut janë verifikuar, pikëzuar dhe indeksuar nga punimi që i ka bërë vëllai ynë, profesor Izet Ubejd Ed Deas.

Kurse dijetari ekspert, shejh Abdul Fetah Ebu Guddeh (Allahu e mëshiroftë) është përkujdesur për Sunenin e Nesaiut. Ai e ka pikëzuar atë në përputhje me rendin alfabetik të haditheve.

Një punë më madhështore se kjo është: referimi dhe verifikimi i haditheve, sqarimi i gradës së hadithit dhe dallimi i hadithit të saktë nga ai i dobët. Sahihu Ibn Maxhes, i Tirmidhiut dhe i Nesaiut janë publikuar nga dijetari i hadithit, shejh Nasrudin Albani[3], dhe pothuajse po botohet edhe Sahihu i Ebu Daudit, ashtu sikurse është pothuajse në mbarim Sahihu i ibn Hibanit me vërtetimin dhe verifikimin e shejh Shuajb Arnautit[4]. E më parë është publikuar Sahihu i Ibn Huzejmes me vërtetim të doktor Muhamed Mustafa El Adhmi dhe verifikim të shejh Albanit.

Më parë është publikuar “Musnedi i imam Ahmedit” me pesëmbëdhjetë vëllime me vërtetim dhe verifikimim të haditheve nga dijetari ekspert Ahmed Muhamed Shakir. Kjo punë e tij deri këtu përbën rreth 1/3 e Musnedit. Madje më parë, shejh Ahmed Abdurezak El Bena e ka sistemuar Musnedin sipas tematikave, e ka komentuar atë dhe e ka nxjerrë në njëzet e tre vëllime. Librin e Musnedit të sistemuar sipas tematikave, ai e ka titulluar “El Fet’hur Rabbanij” kurse komentimin e tij e ka titulluar “Bulugul Emani”. Gjithashtu shejh Ahmed Shakir është përpjekur që nga tefsiri i hafiz Ibn Kethirit të nxjerrë një përmbledhje të verifikuar dhe e ka titulluar “Umdetut Tefsir”. Ky libër është publikuar në pesë vëllime, mirëpo ai nuk arriti ta përfundonte.

Gjithashtu shejh Ahmed dhe vëllai i tij filologu, linguisti, dijetari, verifikuesi Mahmud Muhamed Shakir kanë bërë referimin dhe verifikimin e haditeheve të tefsirit të imam Tabarijut në mbi dhjetë vëllime. Mirëpo gjatë këtij punimi, vëllai i madh, shejh Ahmedi vdiq. Pas vdekjes së tij vëllai i tij profesor Mahmudi nxorri edhe dy vëllime të tjera. Dhe më pas ky punim i madh shkencor është ndërprerë.

Gjithashtu është publikuar libri “Musanef” i Abdurezak San’ani me 21 vëllime me verifikim të dijetarit indian të hadithit Shejh Habibur Rahman El Udhma. Ashtu sikurse është publikuar “Musanef ibn Ebu Shejbeh” nga shtëpia botuese “Es selefije” në Indi në pesëmbëdhjetë vëllime me verifikim të haditheve të shejh Muhtar Nedeuij.

Gjithashtu janë verifikuar edhe disa libra të rëndësishëm, në të cilat janë mbledhur hadithet si për shembull libri “Mishkatul Mesabihi” i Hatib Tirmidhijut, të cilin e ka saktësuar shejh Albani dhe e ka verifikuar në formë të shkurtuar. Apo libri dallimi midis haditheve të sakta dhe të dobëta të verifikuara nga shejh Albani për librin “Xhamius Sagiri dhe shtesat e tij” të Hafiz Sujitit. Secili prej librave – haditheve të sakta dhe të dobëta – është botuar në dy vëllime.

Gjithashtu është bërë saktësimi dhe verifikimi i librit “Xhamiul Usul” i imam Ibn Ethirit nga shejh Abdulkadër Arnauti.

Më parë është publikuar libri “Mexhmu’uz Zeuaidi” i Hafiz Nurudin El Hejthemij. Ky libër megjithëse nuk është saktësuar, ai ka një veçori dalluese: se në këtë libër jepet vendimi për hadithin në është i saktë apo i dobët. Ky libër përfshin: gjashtë librat e Sunetit, Musned Ahmedin, Musned El Bezar, Musned Ebu Ja’la dhe të tre librat “Meaxhim” të Tabaranijut. Sa shpresoj që ky libër i dobishëm të saktësohet, të verifikohet dhe të indeksohet. Në fakt, unë ndjej keqardhje për librat tonë mjaft të dobishëm të Sunetit që janë saktësuar nga dijetarët e sotshëm të hadithit, të cilët publikojnë librin që kanë saktësuar shumë herë më të madh seç është vetë libri origjinal për shkak të shënimeve sqaruese që kanë bërë, por që janë të panevojshme. Madje këto shënime sqaruese përsëriten në çdo libër. Saqë kjo stërzgjatje është kthyer në një mjet përfitmi që bie në kurriz të lexuesve.

Një libër shumë i rëndësishëm që është botuar shumë herë por që nuk është saktësuar e verifikuar është libri “Mustedreku i Hakimit” dhe konspekti që i ka bërë imam Dhehebiju.

Po ashtu janë saktësuar dhe verifikuar libra shumë të rëndësishëm si libri “Zadul Mead”[5] i imam Ibn Kajjimit. Këtë libër e ka saktësuar dhe verifikuar shejh Shuajb Arnauti. Këtë libër e ka botuar shtëpia botuese “Er Risaleh” në gjashtë vëllime: pesë prej tyre është i tërë libri kurse vëllimi i fundit ka të bëjë me indekset.

Po ashtu është saktësuar dhe verifikuar libri “Rijadus Salihin” i imam Neueuijut. Ai është një libër i pranuar tek të gjithë dhe është shumë i dobishëm. Këtë libër e kanë saktësuar dhe verifikuar shejh Albani dhe Shuajb Arnauti.

Një libër tjetër më i rëndësishëm është publikimi i librit “El Ihsanu fi takribi Sahihi Ibn Hiban” i verifikuar nga shejh Shuajb Arnauti në gjashtëmbëdhjetë vëllime, ku dy prej tyre janë me indekset. Këtë libër e ka botuar shtëpia botuese “Er Risaleh”.

Dhe akoma më i rëndësishëm është libri “Enciklopedia e haditheve të musnedit të imam Ahmedit” në më tepër se dyzet vëllime, i verifikuar nga shejh Shuajb Arnauti dhe pesë dijetarë të tjerë të hadithit. Ky libër është pothuajse në përfundim dhe ka për ta publikuar shtëpia botuese “Er Risaleh” në bashkëpunim me mbretërinë e Arabisë Saudite.[6]

Përveç librave të lartpërmendur, gjenden edhe libra të tjerë të hershëm të verifikimit të haditheve, tek të cilat duhet të referohemi dhe të përfitojmë prej tyre. Si për shembull verifikimi që Hafiz Zejnudin El Iraki i ka bërë haditheve të librit “Ringjallja e shkencave të fesë” të imam Gazalit. Hafiz El Iraki e titulloi librin e tij “El Mugni an Hamlil Esfari fi Takhrixhi ma fil Ihjai minel Akhbari”. Ky libër është botuar në shënimet kritike që janë shkruajtur anash librit të “Ringjalljes”. E kushdo që e lexon librin “Ringjallja e shkencave të fesë” nuk mund të bëjë pa shënimet kritike që ka bërë Hafiz El Iraki. Pasi që është shumë e domosdoshme njohja e gradës së hadithit që ka përmendur imam Gazali në librin e tij. Sepse imam Gazali ka përmendur sa e sa hadithe shumë të dobëta, hadithe të tjera që nuk kanë bazë fare e hadithe të tjera të që janë të trilluara. Po ashtu një libër tjetër – i hershëm – është libri i Hafiz ibn Haxher Askalanit, i cili ka verifikuar tefsirin “El keshaf”. Ky libër – i Ibn Haxherit – është i dobishëm i parë në aspektin e haditheve, të cilat komentuesit e Kuranit i përmendin në librat e tyre apo që i përcjellin nga njëri-tjetri.

Një prej librave më të rëndësishëm dhe më të njohur në mesin e predikuesve dhe thirrësve është libri “Et Tergib uet Terhib” i Hafiz El Mundhirit. Problematika e këtij libri është se në të janë përmendur plot hadithe të dobëta, madje disa prej tyre shumë të dobëta saqë mund të jenë vlerësuar edhe si të trilluara edhe nga vetë imam El Mundhiri. Mirëpo shumica e imam-hatibëve dhe predikuesve nuk e kanë lexuar hyrjen që imam El Mundhiri ka shkruajtur në librin e tij, me qëllim që të njihen me terminologjinë që ai ka përdorur në librin e tij. Kjo më ka shtyrë t’i shërbej këtij libri duke publikuar librin “El Munteka” nga libri “Et Tergib uet Terhib”. Ky libër përfshin vetëm hadithet Sahih dhe Hasen.[7] Në këtë libër kam shtuar edhe komente të shkurtra duke shpjeguar fjalët e pakuptueshme, kam sqaruar objektivat e tij, libri i jep përgjigje pyetjeve të ndryshme, hedh poshtë dilemat e ndryshme dhe saktëson koncepte. Këtë libër e kam quajtur “El Munteka minet tergib uet terhib”.

Librat e njohur, të cilat i kam cekur më lart edhe janë shpjeguar ku ndër më të mirët është libri “Fet’hul Bari” shpjegim i “Sahihu Buhariut” i imam Ibn Haxherit, libër për të cilin imam Sheukani ka thënë: “Nuk ka hixhret pas çlirimit”[8]

Përveç librit “Fet’hul Bari” për shpjegimin e haditheve të “Sahihu Buhariut” janë shkruajtur edhe libra të tjerë përpara tij, në kohën e tij dhe pas tij, prej të cilave lexuesi nxjerr shumë përfitime. Si për shembull librat që kanë shkruajtur El Kermani, El Ajni dhe El Kastalani.

Prej librave, të cilat kanë komentuar hadithet e “Sahihu Muslimit” janë komentimi që i ka bërë imam Neueuiju, Kadi Ijadi, El Ubej dhe Es Senusi. Po ashtu një komentim tjetër i haditheve të “Sahihut të Muslimit” i ka bërë edhe një dijetar indian. Ai është Mevlana Çabir Ahmed El Othmani. Ky libër quhet “Fet’hul Mulhim bi Sher’hi Sahihi Muslim” Ai e ka nxjerrë këtë libër në katër vëllime, por nuk e ka përfunduar. Megjithatë këtë libër e ka plotësuar miku ynë, dijetari ekspert Kadi El Fadil Shejh Muhamed Tekij El Othmani. Në këtë libër ai ka shtuar mjaft njohuri që kanë lidhje me kohën që po kalojmë si dhe ka kuruar problematikat e kohës, ç’ka e bën komentimin e këtij libri unik në llojin e tij. Ai e ka nxjerrë atë në gjashtë vëllime.

Libri “El Mu’ueta” i imam Malikut ka disa komentime, si “El Munteka” i Ebu Velid El Baxhi, “Tenuirul Haualiki” i imam Sujutit..etj.

Kurse prej librave më të njohur të komentimit të haditheve të Ebu Daudit mund të përmendim “Mealimus Sunen” i imam Hatabit dhe “Tehdhibu Sunen Ebi Daud” i ibn Kajjimit.

Prej librave bashkëkohorë të komentimit të haditheve të Ebu Dautit mund të përmendim librat që kanë shkruajtur dijetarët indianë, si për shembull libri “Aunul Ma’budi” i Dejanurit, “Bedhlul Mexh’huli fi Hal li Ebi Daudi” i Seharenfurit me shënimet e dijetarit të hadithit El Kandehleuij dhe parathënie të shkruar nga Ebu Hasen En Neduij, ose libri “El Minhelul Adhbil Meurudi” i shejh Mahmud Khitab Es Subki themeluesi i Asamblesë Legjislative. Ky libër është shumë i pasuruar dhe ka shumë dobi. Prej tij janë botuar dhjetë vëllime, mirëpo autori nuk arriti ta përfundonte.

Kurse përsa i përket komentimeve të haditheve të imam Tirmidhiut, mund të përmendim sa më poshtë:

Një libër i vjetër dhe që është më i miri është libri “Aridul Ah’uedhi” i imam Ebu Bekr ibn El Ararbijut.

Një libër bashkëkohor është libri “Tuhfetul Ah’uedhi” i imam Mubarekfurit, dijetarit indian të njohur të hadithit.

Kurse përsa i përket librit të haditheve të Nesaiut, ai nuk ka marrë vëmendjen e duhur ashtu sikurse janë komentuar librat e haditheve të Ebu Davudit dhe Tirmidhiut. Ky libër ka disa shënime të bëra anash nga imam Sujuti dhe Sindi. Shënimet e këtyre dy dijetarëve janë përmbledhur në një libër.

Kur e kam vizituar Indinë përpara njëzet vitesh afërsisht, një prej dijetarëve të hadithit ishte angazhuar me përgatitjen e komentimit të haditheve të Nesaiut. Nuk jam në dijeni se çfarë ka bërë me të.[9]

Një libër tjetër i komentimeve të haditheve të tij është libri “Mishkatul Mesabihi”. Kurse libri më i njohur i komentimeve të Sunen Nesaiut është “Mirkatul Mefatihi” i Ali Karijut. Ky libër është botuar në pesë vëllime.

Një libër tjetër i pasuruar me dobi është libri “Mir’atul Mefatihi” i dijetarit indian Ubejdullah Mubarekfurit. Këtë libër e ka shpërndarë “Universiteti Selefij” në qytetin Befaris në Indi dhe ai është me nëntë vëllime me sa mbaj mend.

Një libër tjetër i mirë dhe i dobishëm për thirrësit është libri “Fajdul Kadir fi Sher’hil Xhami’is Sagir” me gjashtë vëllime i dijetarit ekspert Abdureuf El Mene’uij i cili ka komentuar librin “Xhamius Sagir” të imam Sujutit. Ai është një libër i dobishëm megjithëse ka nevojë për t’u saktësuar.

“Delilul Falihin” i Ibn Alanit – me tetë vëllime – është komentim i librit të haditheve “Rijadus Salihin”[10]

Një libër tjetër i komentimit të haditheve të “Rijadus Salihin” është “Minhelul Uaridin” i Doktor Subhi Salah. Po ashtu edhe “Nuz’etul Muttekin” i doktor Mustafa Khan dhe bashkëautorëve të tjerë.[11]

“El Futuhatur Rabbanijeh” i Ibn Alanit – me shtatë vëllime – është komentim i librit “Edhkar” të imam Neueuijut.

Kurse libri mjaft i njohur “40 hadithet e imam Neuuuijut” është prej librave më të komentuar. Por komentimi më mirë, më i zgjeruar dhe më i dobishëm i këtij libri është “Enciklopedia e dijeve dhe urtësive”[12]i imam Ibn Rexhebit. Madje ai ka shtuar edhe dhjetë hadithe të tjera duke i kompletuar në pesëdhjetë hadithe. Këtë libër e ka saktësuar doktor Muhamed El Ahmedi Ebu Nur, në tre vëllime. Këtë libër e ka saktësuar edhe Shejh Shuajb Arnauti i cili ka verifikuar hadithet dhe ka shkruajtur shënimet e nevojshme. Këtë libër e ka botuar shtëpia botuese “Er Risale” në Bejrut me dy vëllime.

Një libër tjetër i dobishëm i cili komenton përtej komentimit klasik të tyre; që flet për sekretet dhe urtësitë fetare dhe sociale është libri “Huxhetullahil Baligah” i Dehleuijut.

Po ashtu, thirrësi largpamës duhet të dijë se cilat janë ato libra dhe kapituj – përveç librave të hadithit – për të cilat kërkuesi i dijes ka nevojë të përfitojë prej tyre.

Nuk ka dyshim se librat apo kapitujt që flasin për besimin, monoteizmin, adhurimet, dijen, edukatën, asketizmin, spirtualizmin, dhikrin, lutjen, Kuranin, mirësinë, ruajtjen e lidhjeve farefisnore, botës tjetër, Xhenetin, Zjarrin, jetëshkrimin e Profetit (a.s), betejat, tregimet, historitë dhe tematika të tjera të ngjashme janë më tërheqëse për thirrësin sesa ato hadithe të cilat kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me rregullat e të drejtës isalme. Megjithëse thirrësi i kualifikuar e me diapazon të gjerë të dijes përfiton prej të gjitha kapitujve edhe sikur hadithet të flasin rreth dispozitave fetare.

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Këto thënie i ka përmendur imam Ibn Kajjimi në librin “Medarixhus Salikin” vëllimi i dytë, fq: 464-465. Për më tepër shih librin tonë: “Med’hal li dirasetis sunnetin nebeujieh” në kapitullin “Suneti burim për oreintimin e sjelljes”, fq: 63-66.

[2] – Doktori i nderuar do të përmendë më poshtë një sërë librash të haditheve të cilat gjenden në gjuhën origjinale, pra në arabisht. Ajo ç’ka dua të them është fakti se pjesa më e madhe e librave të hadithit nuk gjenden të përkthyera në gjuhën shqipe. Megjithatë disa prej tyre janë përkthyer si për shembull: “Muhtasar Sahihu El Buhari”, Përmbledhje e haditheve të Sahihu Muslimit, Rijadus Salihin (rreth 1000 hadithe) dhe së fundmi edhe libri me shtatë vëllime “Islami nëpërmjet haditheve” i përpiluar nga një grup studjuesish turq. Në këtë kontekst, vlen të përmendet se ky libër është shumë i vlefshëm për thirrrësit, edukatorët e mësuesit islamë, ç’ka mund t’i ndihmojë ata në lidhje me njohjen e Sunetit të Profetit, gjë të cilën e thekson mjaft mirë doktori i nderuar për librat e haditheve që ka përmendur. Sh.pk.

[3] – Realisht këto libra janë botuar nga shtëpia botuese “El Mektebetul Islamij” në Bejrut. Publikimin e këtij zinxhiri librash e ka bërë “Mektebetut Terbijetil Arabij” në shtetet e Gjirit. Sa shpresoj që katër librat e Sunetit të përmblidhen në një libër të vetëm, në vend të kësaj përsërtije që lexuesi e shikon.

[4] – Të cilin e ka publikuar “Muesesetur Risaleh” në Bejrut.

[5] – Ky libër është përkthyer në gjuhën shqipe. Sh.p.k.

[6] – Ky libër, tashmë është botuar në pesëdhjetë vëllime, ku pesë vëllimet e fundit janë indekse. Sh.pk.

[7] – Ngjashëm si doktori ka vepruar edhe Shejh Alani duke publikuar librin “Sahihut Tergibi uet Terhibi” Sh.p.k.

[8] – Duke aluduar se libri “Fet’h” që do të thotë “çlirim” është i mjaftueshëm për atë që dëshiron të dijë shpjegimin e haditheve të Buhariut. Sh.pk.

[9] – Dijetarët myslimanë të Indisë dhe Paksitanit kanë botuar disa komente të Sunenit të Nesaiut, si: Et Ta’lik alas Sunenin Nesai, me autor Abdulxhelil Samarduri, “Et Ta’likat alas Sunenin Nesai, me autor Ebu Jahja Muhamed Shahexhenafuri, “Hashije alas Sunenin Nesai me autor Ishfakurrahman Kandahlavi..etj. sh.pk.

[10] – Një libër tjetër shumë i rëndësishëm është libri “Komentar i Rijadus Sahin” i shejh Uthejminit me gjashtë vëllime. Po ashtu edhe “Kunuz Rijadus Salihin” me 23 vëllime. Sh.pk.

[11] – Një libër tjetër i ngjashëm por më i pasuruar është “Behxhetun Nadhirin” Sh.pk.

[12] – Ky libër është përkthyer në gjuhën shqipe. Tre libra të tjerë të përkthyer në gjuhën shqipe janë“El Uafi” i Mustafa Khan dhe libri “Kuvende të ndritshme” dhe “Koment i 40 haditheve” nga shejh Ibn Uthejmini.Sh.pk.