Ballina Artikuj Ngjarja e Bit Pazarit dhe Kosova

Ngjarja e Bit Pazarit dhe Kosova

(Qerim Lita, E vërteta mbi ngjarjet e Bit Pazarit (1992), Komuna e Çairit, Shkup, 2026, f. 519)

Nga Nuridin AHMETI

Teksa po e lexoja librin “E vërteta mbi ngjarjet e Bit Pazarit (1992)”, të autorit Qerim Lita, botuar nga Komuna e Çairit, dhe duke u mbështetur edhe në informacionet që kisha për këtë ngjarje, si titull më të përshtatshëm për këtë vështrim m’u duk “Ngjarja e Bit Pazarit dhe Kosova”. Këtë titull e kam përzgjedhur për disa arsye, por dy janë më kryesoret:

E para, është thënë dhe vërtetuar se në ish-Jugosllavi, kur përgatitej ndonjë plan antishqiptar nga institucionet e kohës, provat e para bëheshin mbi shqiptarët e Maqedonisë dhe më pas fillonte zbatimi i tyre edhe ndaj shqiptarëve të viseve të tjera të ish-Jugosllavisë. Për mua, ngjarja e Bit Pazarit ishte pjesë e kësaj vazhdimësie. Këtë e dëshmon edhe fakti se, më 6 nëntor të po atij viti, tre shqiptarë nga Kosova, të cilët po udhëtonin drejt Aeroportit të Shkupit, u ndaluan dhe u rrahën nga policia e atëhershme, rreth orës 22:00, afër Bit Pazarit.( “Policia maqedonase brutalisht rrahu tre shqiptarë të Kosovës”, Bujku, 11 nëntor, Prishtinë 1992, f. 8. ) Po në ato ditë, në Prishtinë, nga ushtria serbe u vra një shqiptar me emrin Nasiet Selimi, ndërsa shtypi i huaj e ndërlidhte vrasjen në Prishtinë me ngjarjen në Bit Pazar.( Bujku, 11 nëntor, Prishtinë 1992, f. 2.)

E dyta, arsyeja pse kam përzgjedhur këtë titull, lidhet me faktin se lidhjet familjare ndërmjet shqiptarëve të Shkupit dhe atyre të Kosovës, kanë qenë gjithmonë të afërta. Çdo ngjarje që ka ndodhur në Shkup, por edhe më gjerë, është përjetuar edhe në Kosovë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në drejtimin e kundërt. Kjo tashmë është vërtetuar katërçipërisht.

Menjëherë pas ngjarjes së Bit Pazarit, lajmet filluan të qarkullonin edhe në Kosovë. Mirëpo, më 11 nëntor të vitit 1992, opinioni i gjerë në Kosovë u zgjua me informacione më të hollësishme për ngjarjet tragjike të 6 dhe 7 nëntorit në Bit Pazar. Shtypi në gjuhën shqipe në Kosovë po e informonte më gjerësisht opinionin për këtë tragjedi, duke prezantuar edhe reagimet e forcave politike shqiptare të asaj kohe në Maqedoni dhe në Kosovë. Me të drejtë, në njërin prej artikujve u shtrua pyetja: “Furtunë kalimtare, apo provë gjenerale?”.( Bedri Sadiku, “Furtunë kalimtare, apo provë gjenerale?”, Bujku, 11 nëntor, Prishtinë 1992, f. 5.) Rrjedhat e mëvonshme treguan se kjo nuk ishte një furtunë kalimtare. Edhe më tragjik ishte lajmi se, sipas informatave të marra nga anëtarët e Këshillit për varrimin e viktimave në Shkup, ndërmarrja “Ad-Butel”, e cila merrej me sigurimin e materialit për varrim, ndonëse ishte kërkuar nga ajo, nuk kishte siguruar dërrasat që vendosen në krye të varrit, me mbishkrim në gjuhën shqipe. Madje, sipas raportimit, përfaqësuesit e saj kishin deklaruar se një gjë e tillë nuk mund të përdorej.( Bedri Sadiku, “Shqiptrët diskrimonhen edhe të vdekuar”, Bujku, 11 nëntor, Prishtinë 1992, f. 5.)

Në vazhdimësi, shtypi po e informonte opinionin e gjerë në Kosovë për ngjarjet tragjike në Shkup, duke përcjellë edhe konstatime të tilla se “ata u qëlluan pas shpine”.( Agim Muhaxheri, “Ata u qëlluan pas shpine”, Bujku, 19 nëntor, Prishtinë 1992, f. 4.) Më 20 nëntor, Sami Ibrahimi, nënkryetar i PPD-së, në një intervistë të zgjeruar për revistën “Zëri”, foli edhe për këtë ngjarje tragjike, të cilën drejtuesit e revistës e cilësuan si “Masakër”.( Zëri, nr. 20, nëntor, Prishtinë, 1992, f. 9-10.)

Shtrohet pyetja: A mjaftojnë vetëm informacionet që janë botuar në shtypin e kohës apo që gjenden diku tjetër për ta ndriçuar këtë ngjarje? Sa informacione kanë gjeneratat e këtij vendi, të lindura pas vitit 1992, për këtë tragjedi?

Jam i bindur se shumë prej tyre mund të gjejnë vetëm aq informacione sa u ofrojnë rrjetet sociale.

Ne mund të themi se, nga sot, ata që do të dëshirojnë të kenë informacione të bollshme e të besueshme, si dhe një analizë të plotë për këtë ngjarje, do ta kenë shumë më të lehtë, sepse tashmë kanë në dispozicion një botim të përgatitur me përkushtim nga një profesionist i fushës, siç është studiuesi Qerim Lita. Pikërisht këtë libër, me titull “E vërteta mbi ngjarjet e Bit Pazarit (1992)”, botuar nga Komuna e Çairit, po e promovojmë sot.

Në katër kapitujt e këtij libri, të shtrirë në 518 faqe, ndërmjet dy kopertinave, të interesuarit do të gjejnë informacione dhe analiza të mbështetura në dokumente arkivore, në shtypin e kohës dhe në dëshmitë e protagonistëve të ngjarjeve.

Ngjarja tragjike, e cila nisi me rrahjen e adoleshentit Ali Sejdiu nga policia e atëhershme në Shkup, deri në alivanosjen e tij, preku ndërgjegjen e çdo njeriu të arsyeshëm të asaj kohe. Prandaj, ishte e natyrshme që qytetarët të shprehnin pakënaqësinë e tyre, madje edhe përmes revoltës. Mirëpo, në vend që kjo pakënaqësi e drejtë e qytetarëve të këtij vendi, të menaxhohej nga organet kompetente, pushteti reagoi me dhunë. Siç e trajton edhe vetë autori i librit, dhuna policore ndaj qytetarëve të këtij vendi, rezultoi me vrasjen e disa prej tyre, plagosjen e shumë të tjerëve, si dhe shoqërimin e një numri qytetarësh në biseda informative.

Me të drejtë, autori i librit, studiuesi Qerim Lita, këtë ngjarje e cilëson si më të rëndën që “kishte ndodhur ndonjëherë në trevat shqiptare të Republikës së Maqedonisë pas rënies së komunizmit dhe shpërbërjes së ish-federatës jugosllave”.( F. 415.)

Sado që pushtetarët e kohës u përpoqën ta neglizhonin këtë ngjarje, këtë e dëshmon edhe rasti kur, të nesërmen e saj, disa prej tyre kishin shkuar për vizitë jashtë vendit, sikur të mos kishte ndodhur asgjë në vend. Në fakt, studiuesi Qerim Lita, duke iu referuar këtij veprimi të pushtetarëve të kohës, si dhe faktit se ngjarja ndodhi ditën e premte, kur frekuentimi i Bit Pazarit ishte më i madh, arrin në përfundimin se kjo tragjedi ishte planifikuar nga policia e asaj kohe.

Se kësaj tragjedie i kishin paraprirë edhe ngjarje të tjera, të ndodhura gjatë po atij viti, dëshmojnë vrasja e shtetasve shqiptarë nga policia kufitare maqedonase, ekspeditat policore në fshatrat shqiptare të Strugës etj. Përfshirja në këtë botim e rrëfimeve të dëshmitarëve të asaj ngjarjeje, krahas dokumentacionit dhe shtypit të kohës, ia shton edhe më shumë vlerën këtij libri.

Dokumentet na japin shumë informacione për ngjarjet, por rrallëherë në to mund të hasim edhe anën emocionale të përjetimeve. Këtë e shprehin më së miri dëshmitarët e kohës. I tillë është rasti i vrasjes së Safet Fejzullahit, kur Ibrahimi, duke u përpjekur ta shpëtonte kufomën e Safetit, plagoset dhe bie përtokë, pranë trupit të tij. Pas disa minutash, kur vëllezërit e Ibrahimit shkojnë për ta marrë trupin e pajetë të Safetit, nuk e gjejnë më aty. Ky është vetëm njëri nga shumë rrëfimet që paraqiten në këtë botim. (F. 238.)

Prandaj, besoj se studiuesit që në të ardhmen do të merren me historinë dhe kujtesën kolektive të vendit tonë do ta kenë këtë libër si një referencë të rëndësishme.

Si përfundim

Studiuesi Qerim Lita dhe Komuna e Çairit, kanë zgjedhur formën më të mirë për ta përkujtuar dhe përjetësuar këtë ngjarje. Një tragjedi e tillë nuk mund të përkujtohet vetëm përmes organizimit të një akademie; përkundrazi, ajo kërkon edhe informacione të bollshme dhe përgjigje shkencore.

Këto informacione, së bashku me përgjigjet e duhura, lexuesit tashmë ia ka ofruar autori Qerim Lita përmes botimit të këtij libri.

Është bërë traditë që për ngjarje të caktuara të ngrihen përmendore. Për mua, ky veprim është i qëlluar, por, në fakt, studiuesi Qerim Lita, përmes librit për ngjarjen e Bit Pazarit të vitit 1992, ka ngritur një përmendore të veçantë, të vendosur ndërmjet dy kopertinave, sepse “Njerëzit kalojnë, brezat ndërrohen, por libri mbetet si kujtesë e përhershme e mendimit njerëzor.”

Do të ishte mirë që studiuesi Qerim Lita të merrej si model në këtë drejtim edhe nga të tjerët, në mënyrë që për ngjarjet e shumta që kanë ndodhur në këtë vend të grumbullohen materiale dhe ato të përmbyllen përmes botimeve të mirëfillta. Një shembull i mirë në këtë drejtim na shërbejnë edhe drejtuesit e Komunës së Çairit, të cilët, për ndriçimin e ngjarjeve me interes të veçantë, siç është ajo e Bit Pazarit, kanë angazhuar profesionistë të fushës dhe ia kanë dalë me sukses. Në këtë drejtim, duhet të veprojnë edhe komunat e tjera: ndriçimin e ngjarjeve me interes historik duhet t’ua besojnë profesionistëve.

Institucionet tona do të duhej ta mbanin gjallë kujtesën për këtë ngjarje, me të vetmin qëllim që tragjedi të tilla të mos përsëriten. Kjo mund të realizohet edhe duke e shpërndarë sa më shumë këtë botim, duke përgatitur materiale historike, të dokumentuara dhe vizuale, të cilat mund të përdoren në shkollat e mesme dhe në institucionet e arsimit të lartë. Njëkohësisht, duhet të inkurajohen studentët e studimeve themelore dhe të atyre master që të përgatisin punime seminarike, si dhe tema diplome që trajtojnë këtë ngjarje.

Dhe, krejt në fund, mendoj se do të ishte me vend që edhe arsimtarët, të hënën, në orën e parë të mësimit, t’u flisnin nxënësve të tyre për këtë ngjarje. Po kështu, sot, në këtë ditë të premte, ligjërata qendrore në xhamitë e Shkupit është dashur t’i kushtohej kësaj ngjarjeje. Megjithatë, besoj se nuk është vonë që një gjë e tillë të realizohet edhe të premten e ardhshme.