“Djalë i mirë filani, por nuk bën për këtë punë.”

Hoxhë Justinian Topulli

Kjo është një nga fjalët e mençura që thotë populli, kur përshkruan realitetin se çdo punë do ustain e vetë. Miku im, dhe i shumë prej nesh, Fatmir Baci, e ka formuluar pak më ndryshe këtë shprehje duke thënë: “Ore për djalë të mirë të jap motrën për nuse, por për këtë punë nuk bën.”
Një njeri publik që përfaqëson një komunitet ose së paku ka marrë zërin e tyre për të përfaqësuar interesat e tyre, gjykohet pikërisht për kontributin që ai jep në këtë drejtim dhe jo se sa i mirë është me njerëzit e tij të shtëpisë dhe ata që e rrethojnë. Një njeri publik gjykohet së pari për postin dhe vendin që mban, e çfarë bën me të, dhe më pas se sa namaze fal në ditë apo sa herë shkon në xhami.
Punët publike e komunitare të kësaj dynjaje kërkojnë së pari njerëz të fortë e me karakter solid, e sigurisht njerëz të mirë e të ndershëm dhe me përgjegjësi, e kur janë besimtarë akoma më mirë, por shpesh këto nuk mund të bëhen bashkë dhe ajo që ka përparësi në këtë rast nuk është mirësia individuale që ka dikush dhe dobësia e tij publike, sepse në këtë rast e mira e tij është personale e private, ndërsa dobësia është dëm për bashkësinë dhe publikun.
Imam Ahmed ibn Hanbeli (rahimehullah) u pyet një herë për dy burra që mund të ishin komandantë në luftë: Njëri është i fortë por i prishur (mëkatar), ndërsa tjetri i mirë (besimtar), por i dobët. Me cilin prej tyre duhet të shkohet në luftë?
Ai u përgjigj: “Sa i përket të fortit të prishur, forca e tij është për myslimanët, ndërsa prishja e tij është kundër vetes së tij. Ndërsa sa i përket të mirit të dobët, mirësia e tij është për veten e tij, kurse dobësia e tij është kundër myslimanëve. Prandaj, shkohet (në luftë) me të fortin e prishur.”
Kështu që gjërat në këtë botë nuk funksionojnë keq vetëm pse në krye kemi zullumqarë, mashtrues e hajdutë e maskarenj, por edhe kur kemi evlija që nuk janë në vendin e duhur.
Ebu Dheri (radijallahu anhu) ishte nga sahabët më të devotshëm dhe më adhurues i Zotit, nga më asketët, nga ata që edhe në kohën e injorancës nuk kishte adhuruar idhujt, por kur i kërkoi Profetit (alejhi salatu ue selam) që ai ta emëronte në një post drejtues si vali diku, i Dërguari i Allahut nga dashuria që kishte për të nuk pranoi dhe i tha se ti je i dobët për këtë punë, dhe kjo është përgjegjësi Ditën e Kiametit. Madje e këshilloi që në jetë të mos pranonte as pozicione edhe më pak të rëndësishme, sepse nuk bënte për këtë punë.
Ky është kriteri me të cilën zgjidhen dhe gjykohen njerëzit në këtë dynja për çështje publike e komunitare, të tjerat janë mes tij dhe Zotit. Shoqëria nuk mund të mbetet peng mes zullumqarëve që e shkatërrojnë vendin për interesat e tyre personale, por as edhe evlijave që nuk e nxjerrin gomarin nga balta.

 

Hoxhë Justinian Topulli