Djali i ish-kryeministres Khaleda Zia kthehet në Bangladesh pas 17 vitesh, në prag të zgjedhjeve

Tarique Rahman, djali i ish-kryeministres së sëmurë Khaleda Zia dhe kryetar në detyrë i Partisë Nacionaliste të Bangladeshit (BNP), është kthyer në atdhe pas gati 17 vitesh mërgimi, ndërsa vendi po përgatitet për zgjedhjet parlamentare të shkurtit.

Qindra mijëra mbështetës u mblodhën përgjatë rrugës nga aeroporti i Dakës deri te vendi i pritjes, duke valëvitur flamuj partiakë dhe duke brohoritur slogane në mbështetje të Rahmanit, i cili u prit nga drejtuesit e lartë të BNP-së nën masa të forta sigurie.

Rahman, 60 vjeç, kishte jetuar në Londër që nga viti 2008 dhe drejtonte BNP-në si kryetar në detyrë që nga viti 2018. Ai u kthye pasi dënimet penale ndaj tij u rrëzuan, pas rrëzimit nga pushteti vitin e kaluar të ish-kryeministres Sheikh Hasina, e cila u largua nga vendi.

Kthimi i tij ka edhe rëndësi personale, pasi pritet të vizitojë nënën e tij, Khaleda Zia, e cila është në gjendje të rëndë shëndetësore. Rahman shihet si kandidati kryesor për postin e kryeministrit në zgjedhjet e shkurtit.

Bangladeshi ndodhet në një fazë të ndjeshme tranzicioni politik dhe zgjedhjet do të mbahen nën një qeveri të përkohshme të drejtuar nga laureati i Çmimit Nobel, Muhammad Yunus. Pavarësisht premtimeve për zgjedhje të lira dhe paqësore, shqetësimet për dhunë dhe paqëndrueshmëri mbeten të pranishme. /mesazhi