DnV: Deri në ora 16:00 kanë votuar 32,68 për qind

Sipas të dhënave të Demokracisë në Veprim, (DNV), deri në orën 16.00, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 32.68 për qind e qytetarëve, ose 618 mijë me të drejtë vote.

Mjellma Haçpqia –Aliaj nga DNV-ja, ka prezantuar raportin me parregullsi ku sipas saj, komunat të cilat janë evidentuar dhe prinë me këto parregullsi janë Gjakova me 770 raste, Lipjani 446 dhe Peja 296.

“Deri në orën 16-të të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 32.68 për qind e qytetarëve të vendit, prej tyre gjithsej 618 mijë me të drejtë vote. Parregullsitë të cilat janë evidentuara deri në këtë kohë janë të natyrave paska më tjera prej asaj që kemi pas dhe si DNV bëjmë thirrje për hetime. Parregullsitë të cilat e kanë përcjell procesin e votimit në terren prej orës 7 deri në ora 16.00 janë tentimet për votim të shumëfishta tentime për të votuar më tepër se një herë me gjithsej deri në orën 14.00 kemi 86 raste në 14 vendvotime. Prinë komunat e Pejës me 36 raste, Lipjani me 30, Prizreni me 9. Votim familjar është raportuar deri në ketë kohë në 3 mijë e 60 raste në nivel të Kosovës . Komunat të cilat janë evidentuar dhe prinë me këto parregullsi janë Gjakova me 770 tentime, Lipjani me 446 dhe Peja 296”, tha Alijaj.

Ajo po ashtu tha se prej hapjes së vendvotimeve, vështirësi kanë pasur rreth 511 votues që të gjejnë veten në listat përfundimtare të votuesve. Komunat me të cilat prinë me këto pengesa janë Mitrovica me 145 raste dhe Prishtina me 144. Ajo po ashtu ka thënë se ka pasur një incident në Skenderaj.

“Incidentet më të theksuara kemi pasur një rast eklatantë ku është vërejt një person, i cili ka tentuar të asistojë më shumë se një herë kjo ka qenë në qendrën e votimit në shkollën “Anton Qeta” në Komunën e Skenderajt, ku banorët e shtëpisë së moshuarave janë asistuar nga i nijeti person për të votuar dhe një gjë e tillë nuk është ndaluar prej komisionarëve”, tha ajo.

Albert Krasniqi nga DNV-ja, ka raportuar edhe për parregullsitë të tjera si mungesa e vulave, përleshjet në zonat e banuara me serbë. E po ashtu dhe për diskrepancën e fletëvotimeve me atë kandidatit dhe për anëtar të asamblesë komunale.

“Kemi nisur mëngjesin me mungesa të vulave në Deçan, pastaj ka pasur përleshje në mes ditë në disa komuna me shumicë serbe, ku janë thyer kutitë e votimit dhe i kemi parë ato shkeljet që janë shndërruar të zakonshme fotografimi i fletëvotimeve, votimi me asistencë më shumë se një herë ose prani të persona të paautorizuar në vendvotime. Dhe në mbrëmje kemi disa parregullsi që janë të natyrave të ndryshme me atë çfarë kemi parë deri më sot në Kosovë ku nuk po përputhen në dengun e fletëvotimeve te votimet, cilat janë për kryetar të komunave dhe fletëvotimet që janë për kuvendet komunale. Çdo votues u jepen nga dy fletëvotime dhe ky numër nuk po përputhet dhe ka një intervenim prej anës së policisë ku ka dyshime të komisionarëve “, tha Krasniqi.

Ai u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të merren me këto raste dhe t’i hetojnë, në mënyrë që mos të lejojnë të dëmtohet procesi i votimit.