Demokracia në Veprim (DnV) ka prezantuar Deklaratën Preliminare pwr procesin zgjedhor tw 28 dhjetorit.
Eugen Cakolli nga DnV konstatoi që procesi zgjedhor është zhvilluar përgjithësisht në një ambient të qetë dhe pa incidente serioze që do ta cenonin drejtpërdrejt integritetin e votimit.
Deklarata evidenton dhe trajton gjetjet kryesore lidhur me administrimin zgjedhor, funksionimin dhe vendimmarrjen e KQZ-së, fushatën zgjedhore, pabarazinë e garës, përfaqësimin gjinor, besueshmërinë e listës së votuesve, votimin jashtë vendit, si dhe drejtësinë zgjedhore. Po ashtu, trajtohen gjetjet nga Dita e Zgjedhjeve, procesi i votimit dhe numërimit të votave, certifikimi i subjekteve politike dhe përbërja e listave të kandidatëve.
Deklarata Preliminare bazohet në vëzhgimin e drejtpërdrejtë në terren dhe në të dhëna të mbledhura gjatë gjithë ciklit zgjedhor, duke synuar të kontribuojë në një vlerësim të paanshëm dhe të bazuar në fakte mbi zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Deklarata e plotë e DnV-së
Koalicioni i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim (DnV), vlerëson se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025 janë zhvilluar përgjithësisht në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe konkurruese. Administrimi i përgjithshëm i procesit zgjedhor ka qenë funksional, ndonëse i shoqëruar me sfida të natyrës institucionale, procedurale dhe politike, të cilat në disa raste kanë ndikuar në cilësinë dhe perceptimin publik të procesit.
Procesi i votimit gjatë Ditës së Zgjedhjeve është zhvilluar kryesisht në një atmosferë të qetë dhe demokratike, pa incidente serioze të sigurisë që do të mund të cenonin integritetin e zgjedhjeve. Dalja e votuesve ka qenë relativisht e lartë, ndërsa shumica e parregullsive të evidentuara nga vëzhguesit e DnV- së kanë qenë të karakterit procedural dhe nuk kanë ndikuar në rezultatin e përgjithshëm të procesit zgjedhor.
Procesi vendimmarrës i trupave menaxhuese zgjedhore, në veçanti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka qenë përgjithësisht konsensual. Megjithatë, për disa çështje të ndjeshme – si certifikimi i subjekteve politike, votimi jashtë vendit dhe emërimi i stafit zgjedhor – janë shënuar përplasje të theksuara politike mes anëtarëve të KQZ-së, kryesisht ndërmjet përfaqësuesve të partisë në pushtet dhe anëtarëve të tjerë.
Procesi i certifikimit të subjekteve politike u shoqërua sërish me vendime të kundërligjshme nga KQZ. Refuzimi fillestar për certifikimin e Listës Serbe, pavarësisht përmbushjes së kritereve ligjore, u korrigjua vetëm pas ndërhyrjes së Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykatës Supreme. Ky rast dëshmoi ndikimin e konsideratave politike mbi vendimmarrjen administrative dhe cenoi besimin në pavarësinë institucionale të KQZ-së.
Fushata zgjedhore është zhvilluar në një ambient të qetë dhe pa incidente serioze të sigurisë, por është karakterizuar nga nivel i zbehtë i entuziazmit qytetar dhe pjesëmarrje e pabarabartë e qytetarëve në aktivitetet zgjedhore. Fushata ka qenë dukshëm e personalizuar dhe e centralizuar rreth liderëve partiakë, duke kufizuar rolin dhe paraqitjen programore të kandidatëve për deputetë.
Përfaqësimi gjinor gjatë fushatës dhe në listat zgjedhore ka mbetur kryesisht formal. Gratë kanë qenë të nënpërfaqësuara si folëse në aktivitetet e fushatës dhe asnjë nga subjektet politike nuk ka shkuar përtej minimumit ligjor prej 30–35% përfaqësim të grave në listat zgjedhore, duke reflektuar mungesë të vullnetit politik për fuqizim real të grave në politikë.
Diskursi politik gjatë fushatës zgjedhore ka qenë përgjithësisht më i moderuar krahasuar me proceset e kaluara zgjedhore. PZAP ka trajtuar një numër relativisht të kufizuar ankesash dhe nuk është evidentuar asnjë rast i sanksionuar për përdorim të gjuhës nxitëse apo të urrejtjes. Megjithatë, janë shqiptuar gjoba të konsiderueshme për shkelje të rregullave të fushatës, veçanërisht për vendosje të materialeve zgjedhore në hapësira publike dhe përdorim të burimeve publike për qëllime elektorale.
Votimi jashtë vendit ka qenë një nga segmentet më të ndjeshme të këtyre zgjedhjeve. Ndryshimet ligjore kanë zgjeruar format e votimit për diasporën, përfshirë votimin fizik në përfaqësitë diplomatike dhe votimin me postë. Interesimi i votuesve jashtë Kosovës ka qenë i lartë, veçanërisht në
votimin në ambasada, ku është shënuar një dalje mbi 84%. Megjithatë, procesi i votimit me postë është shoqëruar me sfida logjistike dhe shqetësime mbi sigurinë dhe mbikëqyrjen institucionale.
Lista e votuesve vazhdon të mbetet një çështje problematike strukturore. Edhe pse KQZ ka ndërmarrë hapa për pastrimin dhe verifikimin e saj, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar mbetet dukshëm më i lartë se popullsia rezidente e Kosovës, duke cenuar besimin e publikut në saktësinë e listës zgjedhore.
Zgjedhjet janë monitoruar nga një numër i madh vëzhguesish. Në total, mbi 19,000 vëzhgues janë akredituar nga KQZ, ku pjesa dërrmuese i përkiste subjekteve politike. Prania e gjerë e vëzhguesve ka kontribuar në transparencën e procesit, ndërsa roli i vëzhgimit të pavarur vendor mbetet thelbësor për vlerësimin objektiv të procesit zgjedhor.







