Dodik ndërhyn në zgjedhjet e Kosovës, bënë thirrje publike për mbështetje të Listës Serbe

Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, ka ndërhyrë drejtpërdrejt në procesin zgjedhor të Kosovës, duke shprehur publikisht mbështetjen e tij për Listën Serbe. Dodik, i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i njohur për mohimin e vendimeve të institucioneve dhe gjykatave të Bosnje e Hercegovinës, ka zhvendosur vëmendjen e tij politike drejt Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Dodik u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe të votojnë për Listën Serbe, duke e cilësuar unitetin si faktor kyç për mbrojtjen e interesave të tyre.

“U bëj thirrje të gjithë serbëve në Kosovë që të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për Listën Serbe, sepse vetëm një zë serb i fortë dhe i bashkuar mund t’i ruajë të drejtat, sigurinë dhe të ardhmen e popullit tonë në Kosovë. Uniteti është forca jonë, sot më shumë se kurrë”, ka shkruar Dodik.

Reagimi i tij vjen nga Bosnja e Hercegovina, shtet që vazhdon të mos ua lejojë lëvizjen e lirë qytetarëve të Kosovës pa viza, për shkak të bllokimeve politike ku Dodik ka rol të drejtpërdrejtë.

Përfshirja e Dodikut në zgjedhjet e Kosovës shihet si vazhdim i përpjekjeve për ndikim politik në komunitetin serb në Kosovë, në një kohë kur procesi zgjedhor po zhvillohet nën vëmendje të shtuar ndërkombëtare.