Dodik pas takimit me Orbanin: Vazhdojmë bashkëpunimin e shkëlqyer

Anëtari i Presidencës trepalëshe të Bosnje – Hercegovinës, Millorad Dodik, pas “vizitës miqësore” të kryeministrit hungarez Viktor Orban në Bosnje, më 6 nëntor, ka thënë se njësia e Bosnje-Hercegovinës (BeH), Republika Sërpska dhe Qeveria në Budapest “e vazhdojnë bashkëpunimin e shkëlqyer”.

“Ne jemi mirënjohës për mirëkuptimin që Hungaria ka për Republikën Sërpska dhe ne jemi gjithmonë këtu për të pritur miqtë tanë të mirë”, ka thënë Dodik, i cili priti një delegacion hungarez në Llaktashi afër Banja Llukës, në veriperëndim të Bosnje- Hercegovinës. Në delegacionin hungarez ishte i pranishëm edhe ministri i Jashtëm i këtij shteti, Peter Sijarto.

Orban ka qëndruar për vizitë në Bosnje rreth dy orë. Pas uljes në aeroport, delegacioni shkoi për një drekë pune në një restorant në Llaktashi, ku përveç Dodikut, mori pjesë edhe Radovan Vishkoviq, kryeministër i Republikës Sërpska (një nga dy entitetet në Bosnje-Hercegovinë).

Gjatë drekës, nikoqirët dhe mysafirët shkëmbyen dhurata, pas së cilave delegacioni hungarez u kthye në Budapest. Takimi u shoqërua me masa të forta sigurie, ndërsa gjatë arritjes dhe nisjes së delegacionit, një pjesë e rrugës pranë aeroportit të Banja Llukës u mbyll për qarkullim.
Për këtë vizitë të Orbanit në Bosnje – Hercegovinë, e cila u paralajmërua vetëm dy ditë më parë, ndonëse bëhet fjalë për shefin e ekzekutivit të një vendi anëtar të Bashkimit Evropian, nuk ka pasur akreditim të gazetarëve. Ndërkaq, gjatë vizitës, as nikoqirët dhe as mysafirët nuk u janë drejtuar mediave.

Me Dodikun, pas takimit me Schmidtin

Në prag të vizitës në Bosnje – Hercegovinë, kryeministri i Hungarisë, Orban është takuar më 3 nëntor me Christian Schmidt, Përfaqësuesin e ri të lartë të bashkësisë ndërkombëtare për Bosnjën, është thënë nga kabineti i kryeministrit të Hungarisë për agjencinë hungareze të lajmeve MTI.

Orban dhe Schmidt kanë diskutuar lidhur me situatën në rajonin e Ballkanit, thuhet në deklaratë.

Milorad Dodik, anëtar i Presidencës trepalëshe të Bosnjës dhe kreu i partisë më të fuqishme në Republikën Sërpska, Aleanca e Social-Demokratëve të Pavarur (SNSD), ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se Republika Sërpska nuk pranon emërimin e Christian Schmidt dhe as ndonjë nga kompetencat e tij.
Pas fjalimit të Schmidt në Parlamentin e Bosnjës, më 28 tetor, Dodiku ka thënë se Përfaqësuesi i lartë nuk kishte status diplomatik dhe se do t’i kërkonte Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) që të mos emërojë më askënd në këtë pozicion.

Vizita në prag të ardhjes së Escobarit në Bosnje- Hercegovinë

Orban u takua me Dodikun një ditë përpara se të arrijë në Bosnje, Gabriel Escobar, zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, më 5 nëntor, Escobar ka thënë se ai do të vendoste më vonë, në konsultim me ambasadorin e SHBA-së në Bosnjë e Hercegovinë, Eric Nelson, nëse do të takohet me Dodikun, por theksoi se “çdo hap drejt minimit të Dejtonit, përfshirë atë që Millorad Dodik po bën tani, është shumë e dëmshme dhe shumë destabilizuese për rajonin”.
Diplomati amerikan theksoi se korrupsioni është arsyeja kryesore e përpjekjeve të Dodikut për të dobësuar institucionet qendrore në Bosnje-Hercegovinë.

“Ajo që po bën Millorad Dodik është se ai po përpiqet të mbrojë pushtetin dhe paratë e tij. Unë u kërkoj njerëzve që të mos bien në këtë grackë, të mos e lejojnë atë ta bëjë këtë”, theksoi Escobar.

Dodik, në vazhdimësi, ka paralajmëruar se planifikon të tërheqë pëlqimin e tij për marrëveshjet për Forcat e Armatosura të Bosnje- Hercegovinës, të anulojë ligjet për Gjykatën dhe Prokurorinë e BeH, Autoritetin e Taksave Indirekte (ITA), Agjencinë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA) dhe Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë (OBA).
Që nga fundi i korrikut, përfaqësuesit e Republikës Sërpska kanë bojkotuar punën e institucioneve shtetërore lidhur me një vendim për të ndryshuar Kodin penal të Bosnjës, të vendosur nga ish-Përfaqësuesi i Lartë, Valentin Inzko, i cili ndalon mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës.

Me çfarë shkasi Orban vizitoi Bosnjën?

Siç është thënë më herët, vizita është e një natyre reciproke.

Dodik ka qenë kryeqytetin hungarez, Budapest, më 23 dhe 24 shtator.

Dodik ishte në Samitin Demografik në Budapest në fund të shtatorit të këtij viti, në të cilin liderët e vendeve të Evropës Qendrore nënshkruan një deklaratë të përbashkët.

Në atë deklaratë thuhet se migracioni nuk do të duhet të jetë një përgjigje ndaj rënies së nivelit të lindjeve në Bashkimin Evropian dhe u bëri thirrje vendeve anëtare që të mbajnë politikën familjare nën kompetencën kombëtare.
I mbajtur për herë të parë në vitin 2015, i ashtuquajturi Samiti Demografik në Budapest mbahet çdo dy vjet, me synimin për të luftuar migracionin, por edhe për të inkurajuar çiftet e krishtera që të kenë më shumë fëmijë.

Bashkëpunimi i Dodikut dhe Orbanit

Milorad Dodik i tha Radio-televizionit RS, më 5 nëntor, se Orban, në disa takime të mëparshme, kishte shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Republikën dhe se kishte një ide për projekte të përbashkëta midis Hungarisë dhe Republikës Sërpska.

Orban dhe Dodik janë takuar edhe më parë. Në një takim me Dodikun, më 18 qershor 2019, kur ai asokohe ishte kryetari i presidencës së Bosnjës, Orban tha se vendi i tij e respekton Bosnje-Hercegovinën, por se dëshiron marrëdhënie zyrtare dhe forcimin e bashkëpunimit me Republikës Sërpska.

Orban më pas tha se hungarezët respektojnë identitetin e Republikës Sërpska dhe theksoi se dëshiron që bashkëpunimi mes Hungarisë dhe këtij entiteti të BeH, të fillojë sa më shpejt. /rel