Dodiku ofendon diplomatin amerikan

Milorad Dodik

Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, ka përdorur fjalor ofendues ndaj ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, duke e quajtur “gënjeshtar dhe ngatërrestar”, pasi diplomati amerikan kishte kritikuar Dodikun dhe politikën e tij separatiste dhe për minim të Marrëveshjes së Daytonit.

I pakënaqur me akuzat e O’Brienit, Dodik u tha gazetarëve në Banjallukë se ndihmës-sekretari i shtetit i SHBA-së mbërriti në Bosnje si “subjekt mysliman”. O’Brien realizoi një vizitë në Sarajevë të premten.

“Ai është shkarravitës i zakonshëm që pati fatin ta gjente veten në Dayto”, ka thënë Dodik për O’Brien, i cili ishte një nga pjesëmarrësit aktivë në negociatat e paqes në Dayton dhe, si avokat, ishte i përfshirë në krijimin e marrëveshjes së paqes që i dha fund luftës trevjeçare e gjysmë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Gjatë vizitës në Sarajevë, O’Brien dërgoi mesazh se SHBA-ja nuk do të lejojë të kërcënohet integriteti territorial i Bosnjës dhe se do të kundërshtojë me vendosmëri çdo politikë shkëputëse.

“Ne do t’i përgjigjemi veprimeve anti-Dayton dhe antikushtetuese dhe nuk do të lejojmë që aktorët keqdashës të përçajnë vendin”, ka thënë O’Brien.

Dodik, nga ana tjetër, vlerësoi se ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit “paraqitet rrejshëm si i fuqishëm”. Ai ka deklaruar se O’Brien është “ngatërrestar i cili nuk është i autorizuar të interpretojë Marrëveshjen e Daytonit sepse kjo e drejtë u takon vetëm palëve nënshkruese”.

Dodiku është në “listën e zezë” të SHBA-së. /koha