Dogana grumbullon 1.6 miliardë euro, konfiskoi e sekuestroi 14.5 milionë euro më 2023

Dogana e Kosova ka arritur që gjatë këtij viti të grumbullojë 1.6 miliardë euro, 135 milionë euro më shumë apo 9.5% se në vitin 2022.

Drejtori i këtij institucioni, Agron Llugaliu në një konferencë për medie, ka bërë të ditur se vlera e konfiskimeve e sekuestrimeve ka arritur në 14.5 milionë, përderisa te luftimi i ekonomisë jo-formale vlera arrijnë në 27.4 milionë euro.

Ai tha se gjatë kësaj periudhe janë arrestuar edhe 9 zyrtarë doganorë për korrupsion.

“Në vitin 2023 1.6 miliardë euro, 135 milionë. Të hyrat sivjet tejkalojnë të hyrat për të njëjtën periudhë 135 milionë apo 9.5% më shumë se në vitin 2022. Dogana e Kosovës gjithashtu është duke shënuar rezultate shumë pozitive edhe në luftimin e ekonomisë jo-formale dhe mbrojtjen e shoqërisë nga mallrat e ndaluara. Edhe raporti i fundit për vendin nga Komisioni Evropian ka theksuar performancën e mirë të Doganës së Kosovës në disa fusha të rëndësishme, ndërsa që kryesore është theksi për performancën e mirë në luftimin e krimit të organizuar dhe kontributi në kuadër të Reformave të Qeverisë në luftimin e ekonomisë jo-formale. Mallrat të importuara 5.8 miliardë euro, apo 5.46% më shumë se në vitin 2022. Te luftimi i ekonomisë jo formale 27.4 milionë euro, konfiskimet dhe sekuestrimet 14.5 milionë euro apo 27.46% më shumë. 9 zyrtarë janë arrestuar për korrupsion”, ka thënë Llugaliu.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se Dogana po bënë punë të shkëlqyer në mbushje të buxhetit dhe luftimin e kontrabandës e korrupsionit. Ministri u pyet edhe për dërgimin e shumë ligjeve në Gjykatën Kushtetuese, për çka tha se do të respektojnë çdo vendim.

Përderisa për ankesat për rritjes së çmimit të rrymës, tha se kritikat duhet të adresohen të kompanitë furnizuese.

“Nuk kam dyshim në Kushtetuese, por çmime tavan ka gjithë Evropa, nuk ka probleme më kushtetutshmëri, përkundër faktit dhe propagandës që është bërë në Qeverinë tonë. Lëvizje apo ndryshim të çmimit nuk ka pas, mund të ketë ndoshta kilovatë më shumë për familje, ajo duhet të adresohet më operatorin furnizues, unë duhet ta shoh faturën ndoshta ka ardhur këto ditë, nuk e di”, tha Murati./