Donnarumma, portieri më i mirë i vitit

Portieri italian Gianluigi Donnarumma është shpallur portieri më i mirë i vitit.

Donnarumma e ka fituar çmimin “Yashin Trophy” duke fituar në konkurrencë me Alisson Beckerin, Manuel Neuerin, Edouard Mendyn e Kasper Schmeichelin.

Donnarumma e fitoi titullin e kampionit të Evropës me Përfaqësuesen e Italisë dhe u shpall lojtari më i mirë i “Euro 2020”.

Pas këtij suksesi, Donnarumma u transferua si lojtar i lirë te Paris Saint-Germaini, si lojtar i lirë pasi i skadoi kontrata me Milanin.

“Ka qenë një vit i pabesueshëm për mua duke nisur që nga kualifikimi në Champions League me Milanin, triumfi Kampionati Evropian që ishte i jashtëzakonshëm dhe jam pa fjalë për atë çfarë kemi treguar. Më pas kalimi te PSG-ja, jam shumë krenar dhe jam me fat që jam transferuar te kjo skuadër dhe shpresoj t’i shpërblej në fushën e lojës. Shpresoj që të fitoj shumë trofe me këtë fanellë”, ka thënë Donnarumma.