Donnarumma, portieri më i mirë në botë

Kapiteni i Kombëtares së Italisë, Gianluigi Donnarumma, është shpallur zyrtarisht Portieri më i Mirë i Vitit në çmimet “FIFA The Best”, të mbajtura të martën.

Kjo është hera e parë që Donnarumma fiton çmimin për portierin më të mirë në “FIFA The Best”, pasi në vitin 2021 ishte renditur i dyti pas Edouard Mendyt të Chelseat, i cili atëherë kishte fituar Ligën e Kampionëve.

Ky çmim i shtohet edhe atij “Lev Yachine”, të cilin Donnarumma e fitoi në ceremoninë e Topit të Artë më herët këtë vit.

Ai triumfoi në garë përballë Alisson Becker të Liverpoolit, Emiliano Martinez të Aston Villas, Manuel Neuer të Bayern Munichut, David Raya të Arsenalit, Yann Sommer të Interit dhe Wojciech Szczesny të Barcelonës.
Momenti kulmor i Donnarummës gjatë vitit të fundit kalendarik erdhi kur ai ishte ende pjesë e Paris Saint-Germain, kur skuadra e tij mposhti Interin me rezultatin bindës 5:0 në finalen e Ligës së Kampionëve në fund të muajit maj.

Që prej asaj kohe, ai i është bashkuar Manchester Cityt, që aktualisht ndodhet në vendin e dytë në Premierligë, dy pikë pas Arsenalit kryesues.

Ish-portieri i Milanit bëhet italiani i dytë që fiton çmimin FIFA për Portierin më të Mirë, i cili jepet që nga viti 2017, pas triumfit të Gianluigi Buffon në edicionin e parë.

Italia dhe Brazili janë të vetmet dy vende që kanë nga dy portierë të ndryshëm fitues të këtij çmimi (Buffon dhe Donnarumma për Italinë, Ederson dhe Alisson për Brazilin).