Dortmundi huazon Sanchon

Mesfushori Jadon Sancho do të rikthehet te Borussia Dortmundi, por si i huazuar, ka shkruar “Bild” të mërkurën. Gazeta gjermane bën të ditur se Dortmundi tashmë ka arritur marrëveshjen me Manchester Unitedin, e cila do të zyrtarizohet brenda pak ditëve.

Sancho, i cili nuk ka luajtur për Unitedin prej muajit shtator, do të kthehet në Gjermani në tentim për ta ringjallur karrierën. Ai është përjashtuar nga ekipi i parë i Unitedit për shkak të fjalosjes me trajnerin Erik ten Hag. Dortmundi, po ashtu, ka opsionin e blerjes së tij në verë, varësisht prej numrit të ndeshjeve që Sancho e luan me fanellën e ekipit gjerman.

23-vjeçari këtë edicion ka vetëm tri paraqitje për Unitedin dhe me skuadrën angleze ka kontratë deri në vitin 2026. Ai iu bashkua Unitedit në vitin 2021 nga Dortmundi, ekip për të cilin luajti pesë edicione dhe fitoi Kupën e Superkupën e Gjermanisë.