Mjeku i njohur turk rezident në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mehmet Oz, publikoi në median sociale përvojën dhe përshtypjet e tij në lidhje me vizitës që zhvilloi në muajin korrik në kampet ku qëndrojnë refugjatët sirianë në Turqi.
Në postimin e bërë në llogarinë e tij personale në Twitter, Oz u shpreh: “Me ndihmën e Agjencisë për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), Federatës së Shoqatave Ndërkombëtare të Gjysmëhënës së Kuqe dhe Kryqit të Kuq (IFRC) dhe Gjysmëhënës së Kuqe Turke (Kızılay), pata mundësinë të vizitoj kampet e refugjatëve sirian përgjatë kufirit Turqi-Siri”. Historia e tyre, pavarësisht të gjitha vështirësive, ishte frymëzuese. Ky është një udhëtim që më ndryshoi përgjithmonë”.
Në videon që ai postoi, zënë vend pamjet e fundit të gjendjes së rajonit të Humusit të Sirisë të filmuara në 2017-të dhe pamje nga vizita në kamp.
Në video ai shpreh ndjenjat e tij duke bërë të ditur se vizitën në Turqi, ku mirëpriten 3,5 milionë refugjatë sirianë e filloi nga kufiri (Gaziantep).
“Gjatë tërë jetës time nuk kisha parë një kamp refugjatësh. Nuk dija çfarë të prisja. Gjëja e parë që më ra në sy ishte mirëpritja e bërë në formën tradicionale të rajonit” tha Oz.
Ai tha se autoritetet turke kanë bërë më të mirën e mundshme.
“Bisedova me fëmijët që vizatonin. Kishin humbur gjithçka. Më habiti shumë aftësia e tyre për të fshehur dhimbjet e tyre” tha mjeku i njohur.
Ai bëri të ditur se në kamp u ndesh me histori të ndryshme dhe ndau me ndjekësit e tij historinë e një gjinekologu opozitar, që ishte kërcënuar nga ana e organizatës terroriste DAESH për të mos vizituar gratë.
Ai tha se pas vizitës në Turqi, kaluan në pjesën e Sirisë dhe shkuan në një kamp në Azez dhe këtu vizituan një klinikë.
“U trondita, teknologjia ishte e pamjaftueshme, burimet ishin të pamjaftueshme dhe nuk kishte kondicioner. Në këtë kamp jetojnë 11 mijë persona por në detyrë ishte vetëm një mjek. Ndikimi i luftës mbi mjekësinë dukej aty” tha Mehmet Oz.
Ai tha se aty u takua me babanë e një vajze 12-vjeçare, i cili i ftoi në shtëpinë e tij”.
“Kur shkova në shtëpi pashë Zejnan. Ajo kishte lindur me insuficiencë kardiake dhe pa u operuar kishte filluar lufta. Familja e saj ishte në një gjendje të pashpresë. Kur pashë analizat e saj vura re se në gjakun e saj nuk kishte oksigjen të mjaftueshëm. Për këtë arsye ajo nxihej dhe lodhej shpejt. Ajo do ti mbyllte sytë para se të rritej. Duke u ndarë me të i dhashë një top për të luajtur me shokët dhe shoqet dhe i premtova se do të bëj të pamundurën që ajo të mund të operohet” tha Doktor Oz.


