Kur’ani nuk e ndërton shoqërinë mbi simpatitë, identitetet apo përkatësitë, por mbi drejtësinë. Kjo është arsyeja pse urdhri hyjnor fillon me të: “Vërtet, Allahu urdhëron drejtësinë, pastaj bamirësinë…” (En-Nahl, 16:90).
Drejtësia vjen para bamirësisë, sepse aty ku mungon drejtësia, bamirësia shndërrohet në përpjekje për të zbutur plagët që vetë padrejtësia ka hapur.
Në një hadith kudsij, Allahu thotë: “Unë ia kam ndaluar Vetes Sime padrejtësinë dhe e kam bërë të ndaluar edhe mes jush.” Ky është një prej parimeve më të fuqishme të Islamit. Ai na mëson se padrejtësia nuk mund të bëhet e drejtë vetëm sepse ushtrohet nga një autoritet, një shumicë apo një pushtet.
Pikërisht për këtë arsye, kur ndodh një rast që prek opinionin publik si shpallja non grata e një Hoxhe nga autoritetet shqiptare, debati nuk duhet të fillojë me pyetjen: “A është hoxhë i mirë apo i keq?”, “A pajtohem me idetë e tij apo jo?”. Këto janë çështje dytësore.
Pyetja e parë duhet të jetë: A është marrë ky vendim mbi bazën e drejtësisë, ligjit dhe provave? A janë respektuar procedurat dhe të drejtat?
Nëse përgjigjja është po, drejtësia kërkon që vendimi të respektohet. Nëse përgjigjja është jo, drejtësia kërkon që ai të kundërshtohet. Ky është standardi kur’anor: të jesh me të drejtën, jo me personin.
Mbrojtja e drejtësisë nuk do të thotë mbrojtje e individëve. Po ashtu, mbështetja e shtetit nuk do të thotë mbështetje e çdo vendimi të tij pa e peshuar me drejtësinë. Shteti forcohet kur vepron me drejtësi, ndërsa qytetari fisnik është ai që kërkon drejtësi edhe kur ajo nuk i shërben interesit të tij.
Sot kemi nevojë më pak për tifozeri dhe më shumë për parime. Sepse nesër viktimë e padrejtësisë mund të jetë ai që sot e duartrokasim, ose ai që sot e kundërshtojmë.
Kur’ani nuk na mëson të mbrojmë njerëzit pa kushte; ai na mëson të mbrojmë drejtësinë pa përjashtim. Vetëm atëherë mund të ndërtojmë një shoqëri ku ligji është mbi individin, e drejta mbi interesin dhe ndërgjegjja mbi emocionin.
Hoxhë Vladimir Kera








