Drita e Zotit- Muhamedi alejhi salatu ue selem

Roald A. HYSA

 

Nga errësirat e shekujve në heshtje vjen një kumbim,

I pazëshëm luhatet nëpër hapësirat qiellore

Mentarët dhe të urtët qiellit i drejtohen në meditim,

Asgjë s’u bën përshtypje prej lodrave fëminore.

 

Nga vetja i kthejnë sytë të shohin sa më mirë

Por vështrimi ngadalë iu kthehet mbrapsht i molisur,

Asgjë nuk shohin më dhe ngjajnë si të mpirë

Megjithëse natyra përreth me ngjyra është e harlisur.

 

Të humbur, të mpirë ata dhe të shpërqendruar

Koten e tunden rreth vetes ashtu t’ rraskapitur…

Më kot përpiqen e lodhen ata duke kërkuar,

Tërmeti shkallmon shpirtrat e tyre të tronditur.

 

O ZOT, krijues i pashoq i kësaj gjithësie,

Me hap të drejtohemi e TI drejt nesh me vrap,

Sado mundohemi me ngulmin e një fëmije,

Madhështinë Tënde me mend askush nga ne s’e kap.

 

Kudo i hedhim sytë mbushur e ke me mrekulli,

Me male, shpend, yje, lule tokën e ke ngjyrosur,

Në zemrat tona TI ke futur shumë dashuri

Takimin me TY e presim mjaft të brengosur…

 

Këputet koka e mentarit e zemra i përhidhet,

Shpreson ai, frikësohet me lot e freskon ballin,

Ndërsa me shkulme në ankth trupi i tij përdridhet

Askush prej nesh s’e di si do ta ketë hallin!

 

Një dritë e mekët përbiron e na e rrit shpresën

I shuan dufet dhe nga një derëz e çelët mugullon

Një burrë i madh me butësi na e ofron ftesën

Ajo çka thotë ai thellë në shpirt na drithëron.

 

Kush je ti o burrë, që ne s’ta masim dot shtatin

Ushtima e thirrjes tënde tejkalon për çdo mot,

Një bote të tërë o profet ia ndryshove fatin,

Nga ditë të errëta me dritë na i mbushe plot…

 

Shumë lart të ka ngritur vetë Zoti i Gjithësisë,

Krah emrit të Tij më të madh ty të ka renditur,

Në çdo kohë të jesh shembull i çmuar i mirësisë,

Zemrat tona t’i kemi hapur t’ hysh pa trokitur.

 

Kushdo prej jush tashmë o vllezër e ka marrë vesh

Këto fjalë plot dashuri janë për Muhamedin

Kush falet dhe e përmend atë, secili prej nesh

Me lutje e përgjërim i kërkon Zotit rahmetin…

 

Allah, ja Rab, o më mëshiruesi i mëshiruesve

O Ti, që s’lodhesh kurrë e gjithçka ke nën sundim

Na bashko TI me më të mirin e adhuruesve,

Me Muhamedin n’xhenetet e tua pambarim…